(Arkiv) Gjykimi i Ukë Rugovës - Foto: KALLXO.com

Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj Ukë Rugovës në rastin e 'Vizave italiane'

 

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija dhe të akuzuarit tjerë në rastin e aferës me vizat italiane, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve.

Seanca e sotme ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga prokurorja speciale, Florije Shamolli.

Në seancën e sotme janë thirrur në cilësi të dëshmitarit Artim Gashi dhe Gani Balaj.

Me aprovimin e palëve në procedurë, për shkak të mungesës së vazhdueshme të Balajt, trupi gjykues mori vendim mbi leximin e deklaratës së dëshmitarit të dhënë në polici në vitin 2014.

Sipas deklaratës, Balaj kishte nën pronësi byfenë e Kolegjit “FAMA” dhe aty ishte takuar me profesorin e Kolegjit “FAMA”, Florian Petani, i cili njëkohësisht sipas tij punonte edhe në Ambasadën Italiane në Prishtinë.

Në deklaratë, thuhej se Petani i kishte thënë Balajt se vetëm duhet t’i dorëzojë dokumentet pasi që kjo punë është e përfunduar.

Balaj kishe deklaruar se nuk kishin marrë vizën për të cilën kishin aplikuar së bashku me bashkëshorten dhe të birin.

Prokurorja speciale Florije Shamolli njoftoi gjykatën se posedon një aktgjykim të gjykatës së Romës, e cila ka të bëjë me të akuzuarin Florian Petani.

Sipas këtij aktgjykimi Petani ishte liruar nga akuza e po të njëjtës çështje penale.

Prokurorja njoftoi se është vendim i shkallës së parë, dhe se duhet të ketë një njoftim zyrtar se vendimi ka marrë formën e prerë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 1 6 Maj të vitit 2016.

Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 Janar të vitit 2021.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 Mars 2022.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK