Shtyhet seanca ndaj Ukë Rugovës, i akuzuar për viza italiane

 

Në seancën e sotme ishte paraparë që të bëhej dëgjimi i dy dëshmitarëve, por të njëjtit nuk janë paraqitur në gjykatore.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmarku deklaroi se të njëjtit janë njoftuar përmes telefonit dhe se të njëjtit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në seancë.

Pasi që nuk pati kushte për të vazhduar shqyrtimin gjyqësor, seanca është shtyrë.

Kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmarku njoftoi palët se seanca do të zhvillohet me një tempo më të shpejtë për shkak se tashmë është bërë një kohë e gjatë dhe lënda ende nuk ka një epilog.

Seanca e radhës do të mbahet me datë 18, 29 tetor dhe me 9 nëntor 2021 duke filluar nga ora 9:00.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ukë Rugova mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK