Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija - Foto: KALLXO.com

Gjykata e kishte liruar nga akuzat, por Astrit Haraqija e kishte pranuar se ka ndihmuar njerëz për viza

Gjykata e kishte liruar në mars të këtij viti Astrit Haraqijën për mashtrim me viza italiane, kontrabandim më migrantë dhe krim të organizuar.

Gjykatësja që e kishte marrë këtë vendim, Fatime Dërmaku, kishte thënë se nuk është arritur të vërtetohej se ishte kryer vepra penale.

Por çka thoshte Astrit Haraqija në vitin 2016, një javë pasi ishte ngritur aktakuza?

Se kishte rregulluar viza për 40-80 persona të ndryshëm, Haraqija e kishte thënë për Kallxo.com në vitin 2016.

“Pas arrestimit e kam thënë edhe publikisht se u kemi bërë diku 40 deri në 80 viza njerëzve të Gjakovës, raste qoftë humanitare, për shembull çështje shëndetësore ose ekonomike, i kam përkrah për viza” – thoshte Haraqija.

“Nga viti 1995 i kemi suportu njerëzit, nuk u kon dishka e re për mu…  Nuk jam pishman, u kemi ndihmu njerëzve për shkaqe shëndetësore, humanitare” – kishte thënë ai në intervistë një javë pasi ishte ngritur aktakuza.

Në këtë intervistë, ai kishte thënë se nuk ka menduar se po bënte diçka të keqe.

“Për asnjë moment nuk kam mendu se po bëj diçka të keqe” – thoshte tutje ai.

Haraqija mohon pretendimet e Prokurorisë se veprimtaria e tij ishte ilegale.

Madje pretendon se të gjithë ministrat e zëvendësministrat e Kosovës ndërmjetësojnë për viza.

“Edhe sot unë nuk e di cili ministër ose zëvendësministër nuk e suporton dikë nëpër ambasada për me marrë një vizë. Edhe unë nuk jam pishman për atë që e kam bërë edhe jam më se i sigurt që kush 1 euro nuk ma ka dhënë” – shton ai në intervistë.

Por Prokuroria akuzonte Astrit Haraqijën, Ukë Rugovën dhe të tjerët se kishin ndërtuar skema që kundërligjshëm u kishin siguruar të paktën 500 personave viza italiane.

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për akuzat e Prokurorisë nuk e kishte ndjerë veten të fajshëm në janar të vitit 2017.

Rasti në këtë çështje penale është ndarë në dy procese që njihen si “Ukë Rugova I” dhe “Ukë Rugova II”.

Në të dy proceset, Gjykata e Prishtinës ka vlerësuar se nuk ka mundur të vërtetohej se janë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin të njëjtit.

Mirëpo Gjykata ka dënuar Ukë Rugovën me 6 mijë euro për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

I njëjti është gjetur fajtor për posedim të dy revoleve pa autorizim.

Ndërsa Ilaz Beqiri dhe Qefser Baholli për të njëjtën vepër janë dënuar me 3,500 euro secili veç e veç.

KALLXO.com raportoi sot se në rastin “Ukë Rugova II”, për armëmbajtje pa leje u dënuan Fitim Beqiri me 300 euro, Azad Beqiri 300, dhe Visar Beqiri me 1,000 euro.