Afera me vizat italiane, i akuzuari Ukë Rugova dhe të tjerët ballafaqohen me rrëfimet e dëshmitarëve

Ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija dhe të akuzuarit tjerë në rastin e njohur si ‘afera me vizat italiane’, janë ballafaquar me rrëfimet e dëshmitarëve në gjykatë.

Në seancën e sotme janë dëgjuar dëshmitarët: Ahmet Lipaj, Fisnik Qysa dhe Halil Mala.

Aktakuza për krim të organizuar në këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 Maj të vitit 2016.

Ukë Rugova dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga prokurorja e rastit, Florije Shamolli.

Ahmet Lipaj për deklaratën e dhënë në Polici më datë 13.08.2015, tha se nuk i kujtohej dhe nuk i qëndron pas asaj deklarate, pasi që ka kaluar një kohë e gjatë.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Ahmet Lipaj, ai tregoi se ka posedu pasaportë të Republikës së Kosovës dhe ka pas vizë italiane-shengen, por nuk i kujtohet se a ka qenë e vlefshme pasaporta gjatë asaj kohe.

“Se maj në men unë, siç ju kam deklaru edhe ma herët shkoni tek ambasada merrni video ku edhe ju kam thanë që kam pritë me ditë të tëra për termin dhe vizë”, tha dëshmitari Lipaj.

Ai deklaroi se e ka shfrytëzuar vizën pas lëshimit dhe se nuk ka pasur pengesa në kontrollet kufitare.

Dëshmitari Ahmet Lipaj tutje deklaroi se e njeh Izet Beqirin që nga viti 2002, mirëpo sipas tij “ka pasur mundësi se kanë diskutu për vizë se të gjithë bëjmë muhabete në kafene”.

Lipajt iu lexua deklarata e tij e dhënë në Policisë nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku.

“Unë me Izetin jam taku me një piceri me emrin A……. që është afër ish Boro-Ramizit. Dhe aty kam biseduar me atë se a mundet ai me ndërhy në Ambasadën Italiane dhe me ma përshpejtu procedurën për me marrë unë vizën italiane. Izeti m`ka thonë shikoj çka muj me bo, por para (mjete monetare) për këtë vizë nuk kam dhënë asnjëherë”.

Mirëpo në seancën e sotme dëshmitari deklaroi se “asnjëherë nuk kam thënë se e kam marrë vizën përmes Izet Beqirit”.

Dëshmitari i radhës, Halil Mala deklaroi se vizën ia kishte bërë Edmondi,  i cili nuk figuron në aktakuzë.

Sipas tij, ai ia kishte dorëzuar pasaportën me dy foto dhe Edmondi pas një kohe ia kishte sjellë vizën italiane-shengen, por koha e saktë nuk i kujtohej dhe se nuk kishte bërë asnjë pagesë.

Dëshmitari tjetër Fisnik Qysa tha se me të akuzuarit nuk ka kurrfarë lidhje, përveç se me ish-deputetin Ukë Rugova, që tashmë ishin miq sepse kishin punuar 4 vite së bashku në grupin parlamentar.

Fisnik Qysa deklaroi se Ukë Rugovës ia kishte dorëzu pasaportën me dy foto.

Ai deklaroi se Ukë Rugova pas dy javësh ia kishte dorëzu pasaportën me vizën italiane-shengen në zyret e grupit parlamentar

Gjithashtu, dëshmitari Fisnik Qysa tregoi se ka qenë asistent i Protokollit në familjen Rugova në mënyrë vullnetare, dhe jo me kontratë.

Trupi gjykues i udhëhequr nga Fatime Dërmaku, vendosi që seanca e ardhshme të mbahet më datë 16 dhe 17 mars 2022.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija dhe të akuzuarit tjerë në këtë rast, prokuroria i ngarkon se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ukë Rugova mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK