Cila vepër dhe pse iu vjetërsua Sveçlës dhe të tjerëve në rastin e gazit lotsjellës?

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, me bashkëpartiakët Salih Zyba, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli-Dalipi, po akuzohen nga Prokuroria e Prishtinës për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës e për pengim të personit zyrtar.

Më 21.03.2018 në Kuvendin e Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, menjëherë sapo ishte hedhur në votim marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nga kryetari i Kuvendit, që në atë kohë ishte Kadri Veseli.

Sigurimi i Kuvendit kishte ndërhyrë duke i larguar bombolat e gazit lotsjellës, kurse seanca e asaj dite ishte ndërprerë.

Më shumë se 6 vjet pas ngjarjes kritike, më 26.03.2024, Gjykata e Prishtinës po vazhdon t’i gjykojë ata për hedhjen e gazit lotsjellës, por nuk mund t’i gjykojë më për pikën tjetër të aktakuzës, që është pengimi i personit zyrtar – në këtë rast i deputëtëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo do të thotë se vepra penale e pengimit të personit zyrtar, me të cilën ngarkoheshin të akuzuarit është vjetërsuar.

Me fillim të seancës së 26.03.2024, gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se vepra penale e “pengimit të personit zyrtar” është vjetërsuar, dhe gjykimi vazhdon vetëm për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Vjetërsimi do të thotë që nëse kalon një kohë e caktuar prej kur është kryer vepra penale, personi i akuzuar nuk mund të ndiqet më për atë vepër penale.

Sipas Kodit Penal, vepra në fjalë mund të dënohet deri në tre vjet, si rrjedhojë ajo vjetërsohet kur kalojnë tri vjet nga kryerja e saj.

“Parashkrimi i ndjekjes penale”, neni 106 “ ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar afatet e mëposhtme… “ tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim” – thuhet në Kodin Penal.

Hetimet për këtë rast kishin filluar një ditë pas ngjarjes që kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës, më 22.03.2018. Ndërsa, Prokurorisë për të “kurorëzuar” këto hetime me aktakuzë  u ishte dashur më shumë se një vjet, saktësisht deri më 26.07.2019.

Që nga viti 2019 kur ishte ngritur aktakuza rasti ende po vazhdon të gjykohet në Gjykatën e Prishtinës.

Seanca e mbajtur më 16.01.2024 kishte dështuar të mbahet për shkak të mosprezencës së deputeteve të LVV-së, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli.

Edhe tri seanca të tjera pas saj kishin dështuar në këtë rast, seancat e mbajtura më 01.03.2024, 28.02.2024 dhe 06.02.2024.

Pra, me mungesën e këtyre dy deputeteve, herë njëra, herë tjera dhe herë të dyja bashkë, kishin dështuar gjithsej katër seanca me radhë. Por seanca pasuese, ajo e datës 26.03.2024 u mbajt, pasi të gjithë të akuzuarit u paraqitën para gjykatës.

Deputetët e akuzuar në këtë rast nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat e prokurorisë që u vihen në barrë.

Si përfundim, të akuzuarit do të ndiqen dhe gjykohen vetëm për veprën penale të “përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm” nga gjyqtari Sabit Sadikaj. Dënueshmëria për këtë vepër penale është maksimalisht 8 vjet sipas kualifikimit të Prokurorisë në aktakuzë.