Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendos ndaj të dyshuarve për keqpërdorime me subvencione në Gjilan

Gjykata e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, dhe jua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve Z. P. dhe B. T.

Ata po dyshohen se i kanë kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe mashtrim me subvencione.

Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z. P. që nga viti 2012, deri në fund të vitit 2020, si person zyrtar në cilësinë e zyrtarit për vlerësim dhe verifikim të aplikacioneve, në Drejtorinë e Bujqësisë në komunën e Gjilanit, në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe të pandehurin tjetër B.T., ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i mundësuar të pandehurit B.T., përfitimin e kundërligjshëm të subvencioneve.

Gjykata ka njoftuar se të pandehurit dyshohet t’i kenë kryer veprat penale në vazhdimësi, që nga viti 2012 deri në vitin 2020, çka do të thotë se të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të vazhdueshme dhe  nga kjo bazë ekziston rreziku se po që se të njëjtit do të liheshin në liri do të vazhdonin në kryerjen e veprave penale.

Tutje, gjykata njofton se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se të njëjtit po të  gjendet në liri do të asgjësonin apo dëmtonin provat materiale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.