Diskriminimi në rroga, tetë gjyqtarë padisin KGJK-në

Tetë gjyqtarë nga Gjykata të ndryshme të Kosovës kanë paditur në maj të këtij viti KGJK-në për shkak që diferencës në pagë që ata po pretendojnë se e kanë në raport me kolegët tjerë.

Kallxo.com ka siguruar këtë padi të cilën e kanë ushtruar tre gjyqtarë nga Departamenti për të Mitur dhe pesë gjyqtarë nga Departamenti për Krime të Rënda, përmes avokates Mihane Ismajli.

Ky grup gjyqtarësh po kërkojnë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ua kompensojë diferencën në rroga, që përfshijnë secili shumën mbi 1,000 deri në 5,000 euro.

“Borxhi” total që KGJK-ja po pretendohet se ua ka këtyre gjyqtarëve arrinë shumën rreth 25 mijë euro.

Kërkesat për kompensim, përfshijnë edhe kamatën prej 8% sipas Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, duke e llogaritur prej ditës së ushtrimit të kërkesës te paditësi deri tek pagesa përfundimtare, thuhet në padi.

Avokatja Ismajli për Kallxo.com tha se padia është bërë duke u thirrur në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin e Punës.

Padia e ushtruar ka bazën e kontestit të kompensimit të diferencës së pagës. 

Ky kompensim po kërkohet për periudha të ndryshme, varësisht prej kohës kur gjyqtarët ishin caktuar në pozitën e gjyqtarit në Departamentin përkatës.

Provat me të cilat gjyqtarët mbështesin pretendimet e tyre përfshijnë vendime të kryetarëve të gjykatave gjegjëse, në të cilat gjyqtarët janë caktuar në pozitat e tyre, vendime të KGJK-së dhe lista të rrogave.

Sipas padisë, në Gusht të vitit të kaluar gjyqtarët i ishin drejtuar KGJK-së me një shkresë për trajtim të barabartë me kolegët tjerë, dhe kompensim të diferncës së rrogës.

Por KGJK-ja nuk i ishte përgjigjur kësaj kërkese, thuhet në padi.

“E paditura (KGJK) i ka diskriminuar paditësit në pagë nga se për të njëjtat punë dhe detyra si dhe kualifikimi i njëjtë i paditësve me kolegët e tyre të cilët punojnë në një institucion të njëjtë dhe nuk kanë trajtim të barabartë njëherë nuk kanë pagë të njëjtë ashtu që paditësit ndihen të diskriminuar”- thuhet në padinë në fjalë të datës 24 maj të këtij viti.

Kallxo.com i është drejtuar me pytje edhe KGJK-së lidhur me atë se a ka bërë përgjigje në padinë në fjalë dhe si është arsyetimi i tyre nëse një gjë e tillë qëndron, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Sipas padisë, gjyqtarët i kanë plotësuar të gjitha kushtet e parapara sipas provave të lartcekura për realizimin e diferencës së rrogës, por i padituri (KGJK) nuk i ka respektuar ligjet, dhe kështu gjyqtarët janë detyruar ta realizojnë të drejtën e tyre duke ushtruar padi.

 Kjo çështje, sipas avokates Ismajli ka qenë në Gjykatën e Prishtinës, kurse aktualisht ka kaluar në Gjykatën e Gjilanit dhe pritet të trajtohet nga kjo gjykatë.

Kallxo.com i është drejtuar kësaj gjykate, por as nga kjo gjykatë deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas padisë, baza ligjore në të cilën gjykatësit në fjalë mbështësin pretendimet e tyre janë: Protokolli nr.12 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, neni 14 i Kushtetutës së vendit, i cili ndalon diskriminimin dhe neni 5 i Ligjit të Punës, i cili gjithashtu ndalon diskriminimin në marrëdhënien e punës.