Dosja e gjykatës - Si ndodhi vrasja me thikë në Gjilan

Gjykata e Gjilanit ka njoftuar se ka caktuar paraburgimin ndaj D.T., i dyshuar për vrasjen e A.B. në fshatin Dobërçan të Gjilanit, para dy ditësh.

Këtë vrasje prokuroria e ka cilësuar si vrasje dinake dhe me dashje, kurse motivet ende nuk dihen.

Sipas dosjes së gjykatës, viktima, tashmë i ndjeri, ishte munduar t’i shpëtojë sulmit me thikë ndaj tij duke hyrë në oborrin e një shtëpie, në derën e së cilës posa kishte arritur, ishte sulmuar prapë nga D.T.

Kurse, pas kryerjes së vrasjes i pandehuri kishte kërkuar nga prindi i tij ta dorëzojë në polici.

Sipas njoftimeve të policisë e prokurorisë, i dyshuari D. T., e ka privuar nga jeta viktimën A. B., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

I njëjti kishte ndërruar jetë në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan pas plagëve të marra.

Detajet rreth vrasjes 

Natën kritike, i pandehuri e kishte thirrur paraprakisht tani të ndjerin në telefon, dhe pastaj takohen në veturë ku edhe aty ndodh sulmi me thikë, pas një mos-marrëveshje verbale, theksohet në dosjen e gjykatës.

Pas sulmit me thikë në veturë ai kishte arritur të dalë nga vetura dhe kishte hyrë në një oborr të shtëpisë së Xh.B., ku edhe pasi kishte arritur të ikte prapë e kishte ndjekur i pandehuri dhe e kishte sulmuar prapë me thikë kur kishte arritur tek dera e kësaj shtëpie.

“Fillimisht i pandehuri përmes telefonit e thërret A. B. dhe takohen dhe pasi që ulet në karrigen e parë të automjet dhe me automjet kishin lëvizur, aty pas një mosmarrëveshje verbale në automjet, i pandehuri e sulmon A.B. dhe të njëjtin në mënyrë dinake e godet disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa  viktima arrin të ndalet dhe del nga automjeti dhe ikë në drejtim të kundërt të rrugës nga kishin ardhur, hynë në oborrin e shtëpisë së Xh. B., ndërsa i pandehuri i’u ishte vu pas në ndjekje dhe para derës së hyrjes së kësaj shtëpie, e zen viktimën A.B., aty përsëri e godet disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit” – thuhet në dosjen e gjykatës.

XH.B. pas zhurmës së krijuar kishte intervenuar duke e larguar të pandehurin nga tanimë i ndjeri.

Kurse, I pandehuri pas kryerjes së vrasjes “shkon në shtëpi të vet, i informon familjarët e vet për veprimet e tija të ndërmarra ndaj A. B. dhe kërkon nga prindi  i tij, që të njëjtin të e dorëzoi në Stacionin e Policisë në Gjilan, ku i pandehuri edhe arrestohet”- thuhet në dosje.

Paraburgimi është caktuar pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Gjilanit.