Vrasja me thikë në Gjilan, prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Një person dyshohet se është vrarë natën e 16 dhjetorit duke u goditur disa herë më thikë në fshatin Dobërçan të Gjilanit.

Për këtë po dyshohet D. T.

Sipas njoftimeve të policisë e prokurorisë, i dyshuari D. T., e ka privuar nga jeta viktimën A. B., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ndaj tij prokuroria e Gjilanit ka kërkuar masën e paraburgimit, nën dyshimin për kryerje të vrasjes së rëndë.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D. T., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Valon Osmani për KALLXO.com kishte konfirmuar se ngjarja ishte regjistruar rreth orës 21:00, kurse motivet për këtë rast nuk dihen.

Sipas Osmanit, policia kishte pranuar informacion se një person nga fshati Dobërçan është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

“Viktima nuk ka arritur që t’iu përballojë plagëve të shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar” – kishte thënë Osmani për Kallxo.com.

Ndaj kësaj kërkesë për paraburgim, pritet të vendosë Gjykata e Gjilanit.