Dëshmitari i njëmbëdhjetë Musli Halimi duke dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës - 21.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari Halimi mohon të kenë pasur qasje anëtarë të BIA-s në kampin stërvitor të UÇK-së në Zllash

Dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës ka dëshmuar se në kapin stërvitore në Zllash kishin qasje vetëm rekrutët dhe instruktorët.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Halimi derisa i është përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga prokurorja Silvia D’Ascoli ka mohuar të jetë takuar ndonjëherë me anëtarë të BIA-s në afërsi apo në qendrën stërvitore gjatë periudhës mars – prill të vitit 1999.

“Vetëm kadetët, instruktorët, kanë pas qasje në qendrën stërvitore. Ka qenë strikt e ndalume, trajnimi u kry me kadetë, instruktorët janë marrë me kadetë dhe kjo është e tëra. Edhe me pas dashtë so leju, s’ka pas të drejtë dikush me ardhë në qendër stërvitore”, tha Halimi

Ai gjithashtu mohoi të ketë trajnuar ndonjë anëtarë të BIA-s në kampin stërvitor në Zllash.

“Kadetët që kanë ardhur në qendrën stërvitore, nuk jam marrë me biografinë e tyre apo ardhjen e tyre. Kjo është parapërgatit dhe lista ka ardhë e saktë. Nuk ka qenë detyrë e imja të merrem me të dhënat apo biografinë e çdonjërit, kush është, çka është. Detyra jem ka qenë me i trajnu dhe me iu përmbajt listës që ka ardhë nga Brigada 153”, deklaroi Halimi.

Dëshmitari theksoi se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e BIA-s, për të cilën prokuroria pretendoi se kanë qëndruar sipër shkollës-kampit në Zllash.

Halimi, i cili gjatë luftës njihej me nofkën“Llapi” ka treguar një ngjarje kur e kishte bartuar Rrahman Dinin në shpinë rreth 5 kilometra.

“Kam shumë kujtime me Rrahman Dinin. Ai ka qenë i sëmurë dhe e kam mbajtur nga Prapashtica deri në Koliq. Çka ka qenë i sëmurë nuk e di, por s’ka mujt të lëvizë. Me sa e di, saktë nuk jam, ka qenë i sëmurë prej zemre dhe mushkërive, por mundësia e tij me ecë nuk ka qenë, nuk ka mund të ecë. Kam qenë ai që është dashtë t’i bart të plagosurit bashkë me luftëtarët e mi nga Prapashtica në Koliq, vija ajrore është diku 5 km. Këtu më ka ra me Rrahman Dinin që kam mbetur i rrethum diku 2 ditë e 2 netë, më ka ra me nejt”, ka sqaruar Halimi.

Sipas dëshmitarit kjo ngjarje ka ndodhur mes datës 18 apo 19 prill, atëherë kur ka qenë ofensiva e Zllashit.

I njëjti para trupit gjykues pohoi se ishte takuar me avokatët e të akuzuarit Salih Mustafa dhe me vetëdëshir kishte pranuar të jep deklaratë.

Dëshmitari Musli Halimi i cili ka filluar dje (20 prill 2022) dhënien e dëshmisë, gjykata sot ka përfunduar marrjen në pyetje ku seanca e ditës së enjte do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të dymbëdhjetë të mbrojtjes.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.