Dëshmitari tregon nëse u zbatuan rregullat e Gjykatës Speciale gjatë sekuestrimit të dosjeve në OVL-UÇK

Gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka vazhduar edhe sot në Gjykatën e Hagës.

Në seancën e sotme eksperti Robert Rid ka deklaruar se gjatë sekuestrimit të materialeve nga zyret e OVL-UÇK-së nuk janë respektuar standardet.

Dëshmitari Robert Rid në cilësinë e ekspertit foli rreth mënyrës së sekuestrimit të materialeve në zyrat e OVL-UÇK-së bazuar në eksperiencën e tij 24 vjeçare në Tribunalin e Hagës.

Robert Rid, si dëshmitar është thirrur nga mbrojtësi Toby Kadman avokat i të akuzuarit Nasim Haradinaj.

Fillimisht eksperti Rid foli për eksperiencën e tij 24 vjeçare në Tribunalin e Hagës dhe misionet në të cilat ai kishte marrë pjesë, ndonëse si ekspert ishte dëgjuar në 2 raste.

Ndërsa lidhur me gjykimin ndaj Haradinaj dhe Gucatit eksperti Rid i pyetur nga avokati Kadman për procedurën që ishte zbatuar gjatë sekuestrimit të materialeve nga ZPS-ja në zyrat e OVL-UÇK-së  tha se nuk ishin zbatuar standardet e Hagës.

“Nuk mendoj se operacioni është kryer në përputhje me standardet”.

Lidhur me mendimin e ekspertit Rid se operacioni nuk është kryer në përputhje me standardet ai u pyet nga prokurorja Boliqi, nëse e kishte fjalën për standardet dhe udhëzimet profesionale të tij, apo në përgjithësi. Dëshmitari Rid tha se në bazë të përvojës së tij nuk ishin zbatuar standardet.

Lidhur për zbulimin e materialeve që janë sistemuar në Zaylab, eksperti Rid,  tha se ato mund t`u jepen me kërkesë të palëve siç është rasti me autoritetet seudeze.

Ndërsa lidhur me autenticitetin-vërtetësinë e dokumenteve të sekuestruara eksperti Rid tha se prokuroria çdo herë duhet të vetëtojë vërtetësinë e dokumenteve.

Prokurorja Boliqi, në mungesë të disa dokumenteve për të cilat do ta pye ekspertin Rid e për të cilat u vendos që ta pyesë të premten, kaloi në një çështje tjetër, që ka të bëjë me frikën e dëshmitarëve kosovarë për të dëshmuar në proceset e Hagës.

Ekspertit Rid, iu prezantua një intervistë e tij ku kishte folur për frikësimin e dëshmitarëve kosovarë e ndër të tjera kishte thënë se “ka pasur raste kur kam biseduar me një dëshmitar dhe të nesërmen kur është ftuar për të dhënë dëshmi ai nuk ka ardhur ose nuk ka dashur të dëshmojë”.

Ai u pajtua me prokuroren Boliqi se nëse ndonjë person ka bashkëpunuar me prokurorinë do të quhej spiun, tradhtar ose kolaboracionist.

Eksperti Rid, do të vazhdojë dhënien e dëshmisë ditën e premte më datë 28 janar lidhur me dokumentet që do t’i paraqesë prokurorja Boliqi.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.