Dhomat e Specializuara

Debate të shumta për nxjerrjen e provave në rastin ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Nxjerrja e provave dhe informacioneve në çështjen kundër krerëve të OVL-UÇK-së ka ngjallur debate në mes të avokatëve dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Këto debate u zhvilluan sot në seancën statusore për ecurinë e rastit, ku u diskutua edhe për datën e fillimit të procesit gjyqësor.

Ishte mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ata të cilët paraqiten vërejtjet ndaj ZPS-së për mosnxjerrjen e provave sipas kërkesave të tyre, e të cilët aluduan se prokurorët nuk po i respektojnë vendimet e gjyqtarit Nicolas Guillou.

“Ajo çka po ju kërkomë është shumë e qartë, pikërisht ajo që e ka urdhëruar gjykata e cila ka kërkuar nga prokuroria që të bëjë një nxjerrje të plotë dhe një njoftim te hollësishëm mbi bazën e rregullës 102 pika 3 pa vonesë”, tha avokati Rees.

Pas deklaratave të avokatit Rees, reagoi prokurori i specializuar i cili tha se ZPS i ka plotësuar të gjitha detyrimet e saja.

“Çështja kundër tyre është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. ZPS po i plotëson të gjitha detyrimet ndërsa mbrojtja është munduar që ta shmangë dhe devijojë gjykatën duke u munduar t’u referohet rregullave”, tha përfaqësuesi i ZPS-së.

ZPS tha para gjykatës se deri më tani i ka trajtuar të gjitha kërkesat e avokatëve në lidhje me identifikimin e personit që i ka dërguar dokumentet në OVL-UÇK dhe se për të gjitha to ka dhënë përgjigje.

“Ne e kemi marrë 39 kërkesa që kanë të bëjnë me identifikimin e personit që i ka lënë dokumentet në OVL-UÇK. E kemi nxjerrë informacion në lidhje me hapat e ndërmarrë, në veçanti bëhet fjalë për një intervistë që ia kemi bërë të ditur mbrojtjes”, tha prokurori.

Ai shtoi se në këtë rast nuk mund të flitet për personin që i ka nxjerrë dokumentet por flitet për veprimet që ata i kanë ndërmarrë pas shpërndarjes së informacioneve dhe se nuk kanë ndonjë shpjegim tjetër t’i japin mbrojtjes.

Pas diskutimeve për ofrimin e provave dhe informacioneve Gjykata pyeti palët se a janë të gatshëm t’u përmbahen afateve dhe ta dorëzojnë dosjen e rastit te trupi gjykues më 30 qershor.

Avokatët e Gucatit dhe Haradinajt u deklaruan se javët e ardhshme pritet të përfundojnë me hetimet dhe se besojnë se do t’i përmbahen me përpikëri kalendarit të Gjykatës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë. Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së Dhomave të Specializuara duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitarë.

Që nga ajo kohë dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Pak muaj pas arrestimit ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij ishte deklaruar i pafajshëm ndërsa Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar.

Përveç shpërndarjes ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj organizuan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik përmes thirrjes së konferencave për media.

Në këto konferenca në aktakuzë thuhet se mbi tavolina u ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara.

Sipas prokurorisë ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.