Gjykimi i ish-përmbarueses private Saranda Kuçi - Foto: KALLXO.com

Gjykata nuk fton të dëmtuarit, shtyhet seanca ndaj ish-përmbarueses së akuzuar për keqpërdorim

Në mungesë të të dëmtuarve seanca gjyqësore në në Gjykatën e Prizrenit ndaj ish-përmbarueses private, Saranda Kuçi, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës, është shtyrë për dy muaj.

Kuçi nga Prokuroria po ngarkohet se nuk i ka njoftuar të dëmtuarit për urdhrin përmbarimor për pagimin e shumës prej 4 mijë eurove. Veç kësaj, në akuzë thuhet se ish-përmbaruesja pa i dorëzuar të dëmtuarve konkluzionin kishte caktuar ankandin publik për shitjen e parcelës së tyre, duke tentuar t’i dëmtojë në shumën prej 191 mijë euro.

Në seancën e së martës, kryetari i trupit gjykues, Artan Sjerani, ka deklaruar se nuk ka prova që të dëmtuarit Esat Murati dhe Naxhije Murati janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë.

Seanca e radhës është caktuar për më 29 dhjetor 2023.

Prokuroria e Prizrenit më 28 prill 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të Saranda Kuçit, e cila ngarkohet se prej 27 dhjetorit 2019 e në vazhdim, gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve përmbarimore i ka tejkaluar autorizimet e saj, duke shkelur afatin partitiv për përmbushje vullnetare të detyrimit.

Sipas aktakuzës, Kuçi nuk i kishte njoftuar paraprakisht të dëmtuarit Esat dhe Naxhije Murati me detyrimet që i kanë lidhur me faturën që e kishte lëshuar kreditorja S.S., dhe se të njëjtit nuk i njofton asnjëherë për lëshimin e urdhrit përmbarimor atakues për pagimin e shumës prej 4 mijë e 498 euro e 50 centë.

Në aktin akuzues thuhet se e njëjta pa u dorëzuar personalisht të dëmtuarve Murati urdhrin përmbarimor atakues merr konkluzion më 4 nëntor 2021 për caktimin e seancës së parë të ankandit publik për shitjen e parcelës kadastrale të tyre, njëkohësisht duke mos ia dorëzuar të dëmtuarit konkluzionin në fjalë, me këtë tenton t’i dëmtojë të dëmtuarit Esat dhe Naxhije Murati në shumën 191 mijë euro, shumë kjo sa është vlerësuar parcela kadastrale në fjalë.

Tutje, sipas aktakuzës, Kuçi po ngarkohet se njëkohësisht duke pasur për qëllim që avokates S.S. t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 4 mijë e 498 euro 50 centë, duke i dëmtuar të dëmtuarit në vlerë prej 5 mijë 298 euro e 50 centë dhe atë 4 mijë 498 euro e 50 centë, urdhri përmbarimor, 40 euro në emër të taksave gjyqësore për ankesë ndaj parregullsive dhe 800 euro shpenzimet e udhëtimit e për të gjitha këto veprime të ndërmarra nga e pandehura.

Me këtë rast, Kuçi po akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me nenin 18 dhe nenin 287 të Ligjit për procedurën përmbarimore si dhe në kundërshtim me nenin 110 të Ligjit të procedurës kontestimore.

Andaj, për këto veprime e njëjta po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.