Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Gjykata lëshon urdhër-arrest ndaj deputetit kosovar për ta çuar në burg

Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj deputetit Etem Arifi, të dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrmin me subvencione që kapin shumën mbi 25 mijë euro.

Urdhri është lëshuar me qëllim për ta dërguar atë në vuajtje të dënimit me burg.

Urdhri u lëshua pasi Gjykata e Prishtinës kishte shtyrë dy herë ekzekutimin e dënimit me nga dy muaj për Etem Arifin, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia e Ashkalive për Integrim.

“Pasi që Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e të dënuarit E.A. si të pabazuar, vendimi i gjykatës së shkallës së parë ështe bërë i plotfuqishëm”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së prishtinës, Mirlinda Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se “i dënuari E.A., pasi ka marrë vendimin, është dashur të lajmërohet në Qendrën për vuajtje të dënimit me burgim”.

“Andaj, Gjykata ka lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgim në qendrën për vuajtje të dënimit”, tha zëdhënësja Gashi.

Deputeti tani i dënuar Etem Arifi, është dashur që më 9 mars të paraqitej ne qendrën për vuajtje të dënimit, mirëpo gjendja shëndetësore e të njëjtit kishte bërë që Gjykata e Prishtinës të shtyjë 2 herë me nga 2 muaj ekzekutimin e dënimit.

Më 24 qershor, Gjykata e Prishtinës e kishte hedhur si të palejuar kërkesën e radhës për shtyrje të dënimit.

E ndaj këtij vendimi, i dënuari Etem Arifi, kishtë bërë ankesë e cila i ishte refuzuar si e pabazuar.

Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.