Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Deputetin e pret burgu, Apeli ia refuzon kërkesën

Deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencione i ështt vërtëtuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë për vuajtje të dënimit.

Apeli ka njoftuar se ankesa e Arifit ndaj vendimit të gjykatës për të shkuar në vuajtje të dënimit prej 1 viti e 3 muaj është refuzuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më  24 qershor 2020, e ka hedhur si të pa lejuar kërkesën e të dënuarit për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e obliguar të njëjtin që pas marrjes se vendimit, të paraqitet pran institucionit korrektues për mbajtje të dënimit.

Sipas vlerësimit të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë, drejtë ka vlerësuar se kërkesa e mbrojtësit të dënuarit për shtyrje të dënimit, në rastin konkret, është e palejuar, për shkak se nga shkresat e lëndës shihet se të dënuarit me parë, i është lejuar shtyrja e vuajtjes së dënimit dy herë, për nga 2 (dy) muaj, ndërsa tani i dënuari nëpërmjet mbrojtësit të tij ka paraqitur për të tretën herë kërkesë. Andaj, duke u bazuar në dispozitat e nenit 20, paragrafi 3 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i cili përcakton se: “i dënuari mund të kërkoj shtyrjen e ekzekutimit të dënimit më së shumti dy herë për cilën do nga arsyet e parashikuar me këtë nen”, dhe duke u nisur nga fakti se i dënuari dy herë më parë e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, e drejta për të kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg tani është konsumuar.

Etem Arifi dhe Bajram Gashi me 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin, dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.

Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.