Foto: KALLXO.com

Gjakovë, afër fundit gjykimi i dy policëve

Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj dy policëve, Ismet Deva dhe Bit Shala, sot është përmirësuar një pjesë e aktakuzës.

Dy policët doganorë po akuzohen se në pikën kufitare Qafë-Prush, duke mos i regjistruar kishin lejuar hyrjen e mallrave komerciale në vlerë prej 564.60 euro.

Para se të jepej fjala përfundimtare, prokurori Ali Uka tha se vlera e shumës me të cilën është dëmtuar buxheti i Kosovës duhet të jetë 168.25 euro, e jo 564.60 euro siç cekej fillimisht në aktakuzë.

“Kjo shumë është vërtetuar edhe nga ana e Doganës”, tha prokurori Uka.

Gjakovë: Policët akuzohen për 40 pako dredhëza

Prokurori Ali Uka, sot kërkoi nga Gjykata e Gjakovës që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

I akuzuari Ismet Deva i tha disa fjalë në Gjykatë.

“Gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur dëme të mjaftueshme, sikurse dëme materiale e shpirtërore. Sepse nga periudha 6 mujore sa kemi qenë të suspenduar, kemi humbur 2.050 euro pa u bërë asnjë hetim nga IPK-ja. Në këtë periudhë kemi qenë të shënjestruar nga të gjitha anët. Unë kam fituar sëmundjen e diabetit. Falënderoj trupin gjykues për korrektësinë dhe shpresoj që të tillë do të jenë deri në përfundim”, deklaroi i akuzuari Ismet Deva.

Ndërsa i akuzuari Bit Shala u pajtua me avokatin e tij Genc Juniku, që aktakuza e Prokurorisë duhet të hidhet poshtë si e pabazuar.

Për këtë rast shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 17 tetor.

Seancën e kaluar dy të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre.

Dy zyrtarët policorë Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen nga Prokuroria se kishin lejuar kalimin e dy veturave me mallra komerciale, të dy personave Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri, pa regjistrimin e tyre, me dëm të shkaktuar në vlerë prej 564.60 euro.

Në këtë pikë kufitare, Prokuroria pretendon se personat Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri në orën 18:00 deri në ora 18:30, kanë qenë në pikën kufitare duke pritur që të kalojnë kufirin.

Një seancë kishte dështuar si pasojë e mungesës së përfaqësuesit ligjor të Doganës së Kosovës.

Gjakovë: Policët akuzohen për 40 pako dredhëza

Në këtë rast është dëgjuar udhëheqësi i kalimit kufitar Qafë-Morinë, bashkë me dy dëshmitarë të tjerë, Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri.

Gjykimi i dy policëve për 40 pako me dredhëza, dëshmitari thotë se të gjitha i kishte për nevoja të familjes

Dy zyrtarët policorë Ismet Deva dhe Bit Shala po akuzohen nga Prokuroria për  veprën penale të keqpërdorimit të pozitës së tyre zyrtare, duke lejuar kalimin e mallrave pa regjistrimin e tyre.

Në muajin maj, policët kishin kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar që të hidhet si e pabazuar.

Prokuroria thotë se këto veprime kanë ndodhur në prill të vitit 2018.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët policorë kishin lejuar që dy veturat e personave Bajram Gjoka dhe Muhamet Tahiri, të ngarkuara me mallra komerciale të hynin në territorin e Kosovës, duke mos i regjistruar ato në sistemin SIMS.

Në aktakuzë thuhet se veturën e parë të ngarkuar me perime, fruta të ndryshme e fidane të vogla, e drejtonte Muhamet Tahiri, ndërsa veturën e dytë i cili kishte 40 kuti me dredhëza, e drejtonte Bajram Gjoka.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në atë kohë dhe në atë pikë kalimi kufitar nuk kishte oficer doganor si kompetent për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave.

Mirëpo, këto mallra janë lejuar që të hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm material në shumë prej 564.60 euro.

Gjakovë: Policët akuzohen për 40 pako dredhëza

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

https://kallxo.com/gjakove-policet-akuzohen-per-40-pako-dredheza/

www.kallxo.com