Apeli pritet të vendosë për fatin e aktakuzës ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Gjakovës dhe një të MASHT-it për konkursin për drejtorë të shkollave

Gjykata e Apelit pritet të vendosë për fatin e aktakuzës ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Gjakovës dhe një zyrtari të Ministrisë së Arsimit, në lidhje me konkursin e vitit 2021 për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave në Gjakovë.

Kjo pasi që mbrojtja e të akuzuarve ka bërë ankesë në Apel, pasi që aktakuzën e kishte konfirmuar Gjykata e Gjakovës.

Prokuroria e Gjakovës më 15 shkurt 2023 kishte ngritur aktakuzë ndaj Flutur Këpuskës, Pal Qunit, Avni Rexhës dhe Florentina Gjergjajt, në lidhje me konkursin për drejtorë të shkollave në Gjakovë.

Flutur Këpuska është zyrtare e DKA-së në Gjakovë, Pal Quni drejtor i shkollës ‘Gjergj Fishta’, Avni Rexha zyrtar i MASHT-it dhe Florentina Gjergjaj drejtoreshë e shkollës ‘Nexhmedin Nixha’.

Këpuska, Rexha dhe Quni akuzohen se në cilësinë e komisionit vlerësues të aplikacioneve kanë favorizuar kandidatë me poste politike, ndërsa Gjergjaj akuzohet për deklarim të rremë nën betim, pasi ka fshehur faktin, sipas Prokurorisë, që ka pasur post drejtues në AAK, dega në Gjakovë.

Sipas avokatit Meshari Selimaj, Gjykata në Gjakovë me 24 korrik kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës, ndërsa më 28 korrik 2023 mbrojtja i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të njëjtën kërkesë – hedhje të aktakuzës.

Në dosjen e Prokurorisë së Shtetit thuhet se më 11 qershor 2021 në Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë, të pandehurit Flutur Këpuska, Pal Quni dhe Avni Rexha, në cilësi të anëtarëve të komisionit rekrutues për pranimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, me dashje kanë cenuar të drejtën e kandidatëve në punësim në kushte të barabarta.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit e lartëcekur në kundështim me kompetencat e tyre kanë favorizuar kandidatë që mbajnë poste politike, si dhe duke i cenuar të drejtat e punësimit të të tjerëve.

Në aktakuzë Prokuroria thotë se të akuzuarit Flutur Këpuska, Pal Quni dhe Avni Rexha, në shkollën fillore ‘Ganimete Tërbeshi’ në Ponoshec kanë eliminuar nga konkurrenca kandidatin V.S., me arsyetimin se nuk plotëson kriteret e nevojshme.

Tutje, gjithnjë sipas Prokurorisë, në shkollën ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë dhe shkollën fillore ‘Zef Lush Marku’ në Brekoc, të akuzuarit kanë pranuar si të vlefshëm aplikacionet të cilat kanë qenë të pakompletuara për kandidatët M.SH. dhe P.D.

Në shkollën e mesme të mjekësisë ‘Hysni Zajmi’ në Gjakovë është përzgjedhur kandidatja Florentina Gjergjaj, sipas Prokurorisë, duke qenë në dijeni se e njëjta është anëtare e kryesisë së partisë AAK në Gjakovë, me ç’rast u kanë shkaktuar dëm kandidatëve të tjerë.

Me këtë Prokuroria ka thënë se të pandehurit kanë kryer veprën penale – cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë.

Ndërsa e pandehura Florentina Gjergjaj, sipas Prokurorisë së Shtetit, më 29 prill 2021 me vetëdije ka paraqitur deklarim të rremë, në atë mënyrë që në konkursin e shpallur nga Komuna e Gjakovës për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave, ka paraqitur një deklaratë nën betim, se kinse në periudhën e 36 muajve të fundit nuk ka qenë pjesëtare e strukturave partiake, përkundër faktit, sipas Prokurorisë, se e njëjta në Kuvendin e VIII të AAK në Gjakovë më 7 maj 2018, ishte zgjedhur anëtare e këshillit drejtues të degës në Gjakovë.

Me këtë, Prokuroria ka thënë se e pandehura ka kryar veprën penale – deklarim i rremë nën betim.

Meshari Selimaj, avokat i të akuzuarës Florentina Gjergjaj, për KALLXO.com ka thënë se klientja e tij është e pafajshme dhe se Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.

“Parashtrimet tona normalisht përmbajnë argumente të fuqishme se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar dhe në këtë kontekst duke mos dashur që të paragjykojmë një vendim të ardhshëm të gjykatës, konsideroj se ka bazë të mjaftueshme që në këtë fazë të procedurës penale gjykata ta hedhë aktakuzën” – ka thënë Selimaj.

Kurse Fitim Gashi, i cili ka qenë avokat në procedurën fillestare i të akuzuarës Flutur Këpuska, ka thënë se e mbrojtura e tij në atë kohë është e pafajshme dhe se prokuroria me provat e bashkangjitura nuk mund të vërtetojë as dyshimin e bazuar.

“Besoj fuqishëm se kjo aktakuzë do të bjerë, ngase konsideroj se e mbrojtura ime është e pafajshme dhe Prokuroria me provat e bashkangjitura në aktakuzë nuk do të mund të vërtetojë as dyshimin e bazuar mirë, lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet” – ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Edhe Hasan Rexha, avokat i të akuzuarit Avni Rexha, ka thënë se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme.

“Provat janë të pamjaftueshme. Nuk mundet Prokuroria me tregu kënd me e pranu në konkurs, e kënd mos me e pranu. Ato prova që i ka paraqitur Prokuroria, në bazë të atyre, krejt çka janë nëpër komisione të tilla ish dashtë me iu ngrit aktakuza” – ka thënë Rexha.

Ndërsa Visar Përlaska, avokat i Pal Qunit, për KALLXO.com ka thënë se është ende herët që të prejudikohet se çka do të vendosë Gjykata, duke theksuar se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk janë aq bindëse.