Fjalët e të akuzuarit për vrasjen e kryer me thikë

Bardhyl Zeqiri, ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila e ngarkon atë për vrasjen me thikë Ismajl Canit.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Zeqiri tha se ndien keqardhje për rastin që ka ndodhur, por nuk e pranon fajësinë.

“Unë kam qenë i shantazhaur dhe i kërcënuar nga tashmë i ndjeri. Gjithashtu në ditën kritike unë kam tentuar të largohem nga ai, por nuk kam mundur. Vrasjen nuk e kam kryer me qëllim pasi kam qenë i sulmuar disa herë nga ai. Andaj nuk e pranoj fajësinë për veprën me të cilën po akuzohem”, tha i akuzuari Zeqiri.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, më 24.06.2021, në Gjilan, saktësisht në kafiterinë “Viva La”, i akuzuari me dashje ka privuar nga jeta viktimën Ismajl Cani, për motive të ulëta.

Tutje sipas aktakuzës pas një mosmarrëveshje verbale në mes të akuzuarit dhe tani të ndjerit lidhur me raportet intime në mes të akuzuarit dhe bashkëshortes së viktimës, i akuzuari me një thikë me veprim të drejtpërdrejt ka privuar nga jeta tani të ndjerin, duke e goditur në regjionin e përparmë të qafës (në fyt).

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari i ka shkaktuar katër plagë prerëse dhe dy plagë prerëse – shpuese – shkuese (apo qorre), një plagë prerëse – shpuese – shkuese në anën e majtë të regjionit ijor, ku për shkak të plagëve të pësuara viktima nuk ka mundur të mbijetoj dhe rrugës për në spital ka vdekur.

Pasi seanca ishte fillestare dhe i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, seanca e sotme u shtye për kohë të pa caktuar për t`i dhënë mundësi atij të bëjë kundërshtimin e aktakuzës.