
Informacioni i rremë se 'është dënuar Granit Plava', ai ende është në gjykim
Rreth një javë pasi ishte ngritur aktakuza ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, në rrjetin social Tiktok (arkiva) qarkulloi një video me mbishkrimin “Flet i denuari qe e beri vrasjen e Liridones qe kishte paguar Naim Murseli per vrasjen e gruas”.
Informacioni se Granit Plava është “i dënuar” në lidhje me këtë rast, është i pasaktë, pasi Plava ende nuk është shpallur fajtor dhe nuk është dënuar nga Gjykata për vrasjen e Ademajt.
Më 27.01.2025 ishte caktuar data e nisjes së gjykimit ndaj të akuzuarve. Kjo konsiderohej seanca e parë për këtë gjykim, në të cilin parashihej që të bëhej leximi i aktakuzës dhe deklarimi se a ndjehen apo jo fajtor të akuzuarit për veprat që rëndojnë mbi ta.
Mirëpo, për shkak të mungesës së shkresave të lëndës për palët e akuzuara, është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për datën 31.01.2025.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më 15.01.2025, ndaj katër personave që dyshohen se lidhen me vrasjen e Liridona Ademajt.
Çka thotë aktakuza për vrasjen e Liridona Ademajt?
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona, të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – incident ky që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit në një Konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi, tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që çoi në vrasjen e Liridona Ademajt.
Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitonte dobi financiare.
Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me djalin e tezës së tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryente vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit ‘Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
Në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të dukej si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të “vrasjes së rëndë”.
I pandehuri i dytë Granit Plava, sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, akuzohet se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë euro.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Granit Plava, në fshatin Cermjan të Gjakovës. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan vrasjen.