
Dështon seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt - Pamje
11:54 – Pas ndërprerjes së seancës, Naim Murseli dhe të akuzuarit tjerë në rastin e Liridona Ademajt, janë larguar nga gjykatorja nën masa të rrepta të sigurisë për në qendrat e paraburgimit ku po mbahen aktualisht.
11: 44 – Dështon seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
11: 39 – Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja, Fatime Dermaku e ka dënuar me 500 euro gjobë avokatin Ndrecë Dodaj, për mos përfillje të gjyqtares. Avokatit paraprakisht iu shqiptua një vërejtje me shkrim për pengim të gjyqtares.
11:34 – Mungesa e shkresave të lëndës për palët e akuzuara, shtyhet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
11:33 – Prokurorja Prlinçeviq e demanton avokatin Dodaj për shkresat e lëndës
Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq e demantoi avokatin Ndrecë Dodaj, pasi tha se për Ndrecë Dodajn “ka ardhë me i marrë shkresat avokati Skender Gojani që mbron Granit Plavën”, për të cilën tha se “ka dëshmi shkresën e cila është nënshkruar”.
Kurse Gojani tha se po është e vërtetë që ka shku “me marrë lëndën për Ndrecë Dodajn”, të njëjtin e kishte kontaktuar dy herë që ta marrë lëndën, por që sipas tij Dodaj i ka thëne “e marrë lëndën të hënën”.
11:22 – Avokati Ndrecë Dodaj, që mbron Kushtrim Kokallën, deklaroi se nuk i ka pranuar në tërësi shkresat e lëndës, duke thënë që nuk mundet me këshillu klientin e tij e as me kundërshtu aktakuzën.
Edhe avokati Agron Kuqi që mbon të akuzuarin Tom Doda, deklaroi se nuk janë në gjendje që sot të deklarohen lidhur me rastin.
11:16 -Përgjigja e Naim Murselit për statusin martesor: E kom gruan e vrame
I akuzuari në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku, për statusin martesor është përgjigjur se: “E kam Grun e vrame”.
11:08 – Murseli dhe të akuzuarit tjerë në bankën e të akuzuarve
Naim Murseli dhe të akuzuarit tjerë në bankën e të akuzuarve. Ndaj tyre pritet të nis senaca e shqyrtimit fillestar. Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq pritet t`ua lexojë aktakuzën që rëndon ndaj tyre.
10:15 – Masa të rrepta sigurie – momenti kur Granit Plava sillet në Gjykatën e Prishtinës
Njëjtë sikurse Naim Murseli, nën masa të rrepta sigurie janë sjellë në Pallatin e Drejtësisë- në Gjykatën Themelore të Prishtinës edhe të akuzuarit tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj.
10:43 – Naim Murseli sillet në Gjykatë i prangosur këmbë e duar – Pamje
Naim Murseli dhe të akuzuarit tjerë në rastin e vrajses së Liridona Ademajt janë sjellur nën masa të rrepta të sigurisë në Pallatin e Drejtësisë. Ndaj tyre pritet të mbahet seanca e fillestare.
Kjo konsiderohet seanca e parë për këtë gjykim, në të cilin parashihet që të bëhet leximi i Aktakuzës dhe deklarimi se a ndjehen apo jo fajtor të akuzuarit për veprat që rëndojnë mbi ta.
Seanca është paraparë të fillojë në ora 11:00, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjykimi pritet të udhëhiqet nga kryetarja e Trupit Gjykues, Fatime Dermaku, kurse prokurore e rastit është Javorka Prlinçeviq.
Katër persona tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.
“E kishte mbajtur për krahu, në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.” – kështu e përshkruan ngjarjen prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.
Prokurorja e rastit, Javorka Prlinçeviq ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit “Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës. Më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale: “vrasje e rëndë”.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen.
Më 28.11.2023, në ora 19:41, sipas të dhënave në Dosje të Prokurorisë thuhet se Naim Murseli i ka dërguar mesazh Granit Plavës – duke i thënë “Shok, sigurt kryhet nesër, a të ka thënë Kuqa që paradite?”.
Pas këtij mesazhi – sipas Prokurorisë – kanë vazhduar biseda me audio – një bisedë e tillë e regjistruar në telefonat e të akuzuarve ka ndodhur edhe më 29.11.2023, në ora 19:01, ku kishte pasur bisedë telefonike për 00:00:28 sekonda.
Raportimet e tjera: LINK