Vrasja e Liridona Ademajt - Aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve - VIDEO

Katër persona tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje kjo e regjistruar më 29.11.2023.

Të akuzuarit janë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla e Granit Plava dhe Tom Dodaj.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve.

“Po ashtu siç e dini rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur t’i gjejmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – tha Gashi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media më 15.01.2025 ka bërë të ditur se kanë ngritur Aktakuzë, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Gashi ka thënë se lidhur me rastin janë zhvilluar hetime në shumë dimensione dhe se kanë siguruar ekspertiza nga brenda dhe jashtë vendit.

“Ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve. Po ashtu siç e dini rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur të zbulojmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – ka thënë Gashi.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se arsyeja pse ka kaluar një kohë e gjatë për ngritjen e Aktakuzës ka qenë mungesa e informacioneve për motivin e ngjarjes.

“Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e Aktakuzës, provat janë mbledhur shpejt për veprën penale. Çka ka munguar ka munguar motivi dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi. Organeve atje iu jemi drejtuar për të kërkuar të dhëna, nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me problemet. Derisa nuk i kemi pasur të dhënat në lidhje me këtë, nuk kam mundur ta ngrisë Aktakuzën. Tani që kemi edhe motivin, kemi zbuluar edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë, edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.” – është shprehur ajo.

 

Sipas Prokurorisë, ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Më 27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.

Si shpjegohen veprimet e të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Sipas Dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – me aludim në vrasjen e Ademajt.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën, e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Raportimet e KALLXO.com – LINK 

(Shënim: Lajmi është edituar duke e shtuar edhe emrin e të akuzuarit të katërt pasi KALLXO ka siguruar Aktakuzën- Koha e editimit: 14:39 – 15.01.2025).