Drejtorët e akuzuar të Prizrenit, deklarohen për pafajësinë

 

Levent Kasëmi, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Fejzë Kabashi, drejtor i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.

Dy drejtorët po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Pos drejtorëve, të cilët vazhdojnë të mbajnë detyrat e tyre, i akuzuar është  Refik Shaqiri i cili kohë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, të cilët pozitë e ushtronte kur është ngritur aktakuza ndaj tij.

Gjithashtu të akuzuar janë edhe asamblistja nga Nisma Socialdemokrate, Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë, e deri në seancën e datës të datës 27 mars kanë të drejtë të paraqesin provat që i konsiderojnë në dobi të tyre.

Shqyrtimi fillestar i datës 24 dhjetor të vitit 2019 kishte dështuar të mbahet në mungesë të akuzuarve, ndërsa gjyqtari Artan Sejrani i kishte paralajmëruar të akuzuarit se në rast të mungesave tjera do të lëshonte urdhër arrest.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i Komisioni ka qenë akuzuari drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F.B. në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doqi kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të Komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doqi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, Komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Drejtori i Shërbimeve Publike Levent Kasëmi vjen nga radhët e Vetëvendosjes, përderisa drejtori Fejzë Kabashi është anëtar i LDK-së, e cila është në koalicion qeverisës me LVV-në në Komunën e Prizrenit.

Refik Shaqiri ish drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër, është anëtar i subjektit politik NDS (Nova Demokratska Stranka), e udhëhequr Emlija Rexhepi, subjekt ky që ka 2 asamblistë dhe që gjithashtu është në koalicion qeverisës në Komunën e Prizrenit.

Komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe  këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit përbëhet nga shtatë anëtarë, tre nga të cilët i propozon kryetari i Komunës, tre anëtarë tjerë i propozon Asambleja Komunale e Prizrenit, ndërsa anëtar i fundit propozohet nga shoqëria civile.