Foto: KALLXO.com

Tre drejtorët e Mytaher Haskukës dolën para Gjykatës (Foto)

Tre drejtorët e Komunës së Prizrenit pasditen e sotme nuk janë paraqitur në punë në orarin e zakonshëm.

Levent Kasëmi, drejtor i Shërbimeve Publike (nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje), Fejzë Kabashi, drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale (LDK) dhe Refik Shaqiri, drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi  (Nova Demokratska Stranka), sot u ulën në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prizrenit.

Tre zyrtarët e Komunës së Prizrenit dolën para gjyqit 21 ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tyre.

Të tre po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Pos drejtorëve, të cilët vazhdojnë të mbajnë detyrat e tyre, të akuzuar janë edhe asamblistja nga Nisma Socialdemokrate, Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision.

Drejtorët Levent Kasëmi dhe Fejzë Kabashi dukeshin në disponim të mirë para seancës, të cilët muhabetin e vazhduan deri kur në sallë erdhi gjyqtari i rastit, Artan Sejrani.

Por seanca e sotme ka dështuar të mbahet, sepse i akuzuari Ares Shporta nuk është paraqitur në Gjykatë, ndërsa mbrojtësi i tij avokati Erdin Thana i ka thënë Gjykatës se i njëjti që nga data 1 dhjetor gjendet jashtë Kosovës dhe nuk do të jetë i pranishëm deri pas datës 2 shkurt të vitit 2020, andaj i kërkoi Gjykatës që seancën e ardhshme ta caktojë pas datës 2 shkurt të vitit të ardhshëm.

Një kërkesë tjetër kishte edhe avokati Betim Kadoli i cili mbron të akuzuarin Fejzë Kabashi, i cili i tha Gjykatës se do të jetë jashtë Kosovës deri pas datës 15 shkurt të vitit 2020.

“Prite njërin e prite tjetrin, ky gjykim paska me zgjat më shumë se 1 vit”, u tha gjyqtari Artan Sejrani mbrojtësve të të akuzuarve.

Gjyqtari Artan Sejrani i paralajmëroi avokatët se kjo do të jetë toleranca e fundit që Gjykata bën për mungesën e të akuzuarve, ndërsa në rast të mungesave tjera Gjykata do të lëshojë udhër–arrest vendor por në rast nevoje edhe ndërkombëtar.

Seanca  e parë gjyqësore u ricaktua për datën 20 shkurt të vitit 2020.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i Komisioni ka qenë akuzuari drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F.B. në dëm të të dëmtuarit A.D., i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari A.D. kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të Komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, Komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari A.D. kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë përkundër këtij fakti, Komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit  ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.

Drejtori i Shërbimeve Publike Levent Kasëmi vjen nga radhët e Vetëvendosjes, përderisa drejtori Fejzë Kabashi është anëtar i LDK-së, e cila është në koalicion qeverisës me LVV-në në Komunën e Prizrenit.

Refik Shaqiri është anëtar i subjektit politik NDS (Nova Demokratska Stranka), e udhëhequr nga deputetja Emlija Rexhepi, subjekt ky që ka 2 asamblistë dhe që gjithashtu është në koalicion qeverisës në Komunën e Prizrenit.

Komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe  këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit përbëhet nga shtatë anëtarë, tre nga të cilët i propozon kryetari i Komunës, tre anëtarë tjerë i propozon Asambleja Komunale e Prizrenit, ndërsa anëtar i fundit propozohet nga shoqëria civile.