Dosja ndaj të dyshuarit për vrasjen në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit I. Z.

Një vrasje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në afërsi të fshatit Banjë dhe Bellanicë të qytetit të Malishevës.

Sipas Gjykatës, i dyshuari me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga Komuna e Suharekës, si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme.

“Më datë 20 shtator 2023 rreth orës 07:40 minuta në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevë, në parkingun e marketit M.- M. me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga Komuna e Suharekës, si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme. Derisa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E. dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe i afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armë gjuan disa herë në drejtim të kokës së tani të ndjerit, e kur i viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke gjuajtur prapë me armë në drejtim të trupit të tij dhe përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë”-thuhet në njoftimin e Gjykatës së Gjakovës.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje dhe posedim i armës.

Gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.

I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 20 shtator 2023 dhe do të zgjasë deri më 20 tetor 2023.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Në lidhje me rastin, një person dje ishte dorëzuar në stacionin policor në Malishevë. Raportohet se i dyshuari dhe tashmë viktima kanë qenë kolegë të punës  derisa motivet e vrasjes dyshohen se janë për një mosmarrëveshje në punë.