Dosja e prokurorisë për biznesmenin që dyshohet se fitoi tender 47 mijë eurosh me dokumente të rreme

I dyshuar për keqpërdorim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit Jasmir Morina, ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me kërkesën e Prokurorisë e cila po kërkon që ndaj tij të caktohet paraburgimi.

Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri Jasmir Morina, pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Tutje sipas Prokurorisë, i dyshuari në mënyrë të kundërligjshme, ka paraqitur dokumentacion të rremë dhe ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro.

Po ashtu, i njëjti po dytshohet se pa autorizim ka lëshuar dokument në emër të personit tjetër.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka prezantuar kontratë mbi vepër, të cilën e ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër, ka përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme të kompanisë së tij.

Në seancën e sotme e cila ishte dëgjimore, prokurori Agron Uka duke elaboruar kerkesën për paraburgim ndër të tjera tha se kohëve të fundit kjo vepër penale është në rritje e sipër. Gjithashtu tha se hetimet i kanë filluar pasi kanë pasur dyshimin e bazuar mirë, andaj edhe kërkesen e kanë bërë nisur nga ky dyshim.

Në fund prokurori kërkoi nga gjykata që kërkesa të aprovohet pasi nëse i dyshuari gjendet në liri mund të ndikoj edhe tek e dëmtuara dhe mund të ndikoj edhe në provat të cilat Prokuroria është duke i mbledhur.

Kurse mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Mustafë Musa tha se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë, pasi sipas tij nisur nga prezumimi i pafajësisë i njëjti duhet të jetë në liri deri në mundësinë që ai të deklarohet për fajësinë.

Tutje Musa tha se nuk plotësohen kushtet për caktimin e paraburgimit pasi në shkresat e lëndes gjenden provat dhe nisur nga kjo edhe nëse i dyshuari gjendet në liri nuk do të mund të ndikoj në provat ashtu si tha prokurori. Në fund i propozoi Gjykatës qe të refuzohet kerkesa e Prokurorisë dhe ndaj të dyshuarit të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Kërkohet 1 muaj paraburgim për personin që dyshohet se fitoi tender me vlerë 47 mijë euro përmes dokumenteve të rreme