Ilustrim

Dosja: Çfarë i ndodhi 11-vjeçares në ditën e dhunimit në parkun e Prishtinës?

Gjykata e Prishtinës i ka dënuar sot me 40 vjet burg të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares.

Sipas aktakuzës, vepra penale ka ndodhur në një nga parqet e Prishtinës në gusht të vitit 2022.

Sipas dosjes së Prokurorisë, 11-vjeçarja përjetoi tmerrin e dhunimit që zgjati për pothuajse 3 orë.

Sipas aktakuzës, të miturën rastësisht e panë në park 3 të miturit e përfshirë në këtë rast, ku rreth orës 18:00 të 27 gushtit të vitit 2022, ata  filluan ta ngacmojnë me fjalë të ndryshme.

Kurse në intervalin kohor deri në orën 20:00 sipas dosjes së Prokurorisë e kanë dhunuar të miturën, duke e shtrirë në tokë, duke i mbyllur gojën e duke i mbajtur këmbët.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke  e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

“Të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G.J. e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S. ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R. që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J. ka qenë duke ia mbajtur këmbët të miturës” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R. dhe Xh.S. e kanë incizuar dhe ia kanë dërguar një personi, duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Mirëpo përjetimi i 11-vjeçares nuk kishte përfunduar me kaq.

Sikur të mos mjaftonin dy orë, i akuzuari kryesor në këtë rast shkon dhe e merr me makinë të miturën dhe aty e dhunon.

Sipas Prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin E. R., i cili kishte shkuar në vend të ngjarjes me veturën e tipit “Pick up”, ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11-vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave, ku 2 të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari E.R. edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.

Sipas aktakuzës, rreth orës 22:41, E.R. ka telefonuar të akuzuarin tjetër Sh.K., duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, që më pas ia ka huazuar veturën ku edhe i akuzuari Sh.K. e ka dhunuar seksualisht të miturën, mirëpo në mungesë të provave sot u lirua nga akuzat.

E.R. u dënua me 15 vjet burg për veprimet e tij, kurse tre të miturit, G.R. me 9 vjet burg kurse G.J. dhe Xh.S. me nga 8 vjet burg secili.

Ky nuk është rasti i vetëm që kjo e mitur është viktimë e dhunimit pasi që edhe 6 persona të tjerë akuzohen se e dhunuan në qershor të vitit 2022.

Kundër këtyre 6 personave ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.

Kundër këtij rasti që tronditi opinionin publik u organizuan protesta të shumta në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.

40 vjet burg për 4 të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares