Dënohet me gjobë për plagosje me lëndim të rëndë

Nderim Haxhija, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje arriti marrëveshje për pranim të fajësisë  me prokurorinë.

Në gjykimin e sotëm, u prezentua marrëveshja e arritur me datë 11 shtator.

Ndërsa prokurori Ali Uka, i propozoi gjykatës që këtë marrëveshje ta pranojë me të gjitha kushtet e saj.

Gjithashtu i dëmtuari Besfort Sadrija, kishte njoftuar gjykatën se dëmi i shkaktuar i ishte kompenzuar nga i akuzuari.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Nderim Haxhija, avokati Arbër Guta theksoi se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe pa presion.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, e pranoi marrëveshjen e lidhur dhe caktoi dënimin për lëndim të rëndë trupor në shumë prej 3 mijë euro dhe 800 euro për armëmbajtje pa leje si dhe dënimin plotësues konfiskimin e armës së zjarrit.

Në seancën e kaluar, Nderim Haxhija kishte kërkuar marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.

Sipas aktakuzës, Nderim Haxhija ka gjuajtur me armë në këmbën e djathtë të të dëmtuarit Besfort Sadrija, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Rasti ka ndodhur në dhjetor të vitit 2016, pas një mosmarrëveshje të mëparshme mes tyre.

Derisa të dytë ishin në veturat e tyre, fillimisht ishin fjalosur me njëri tjetrin, më pas i dëmtuari Besfort kishte dalë nga vetura ishte afruar një metër afër të akuzuarit, pastaj i akuzuari Nderim kishte gjuajtur me armë.

Ky rast është mbajtur fillimisht në Departamentin e Përgjithshëm tek gjyqtari Mentor Bajraktari, e cilësuar si vepër e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, mirëpo pas kualifikimit të veprës penale në lëndim të rëndë trupor, i njëjti rast ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda.

Në seancën e mbajtur te gjyqtari Mentor Bajraktari, i akuzuari Nderim Haxhija, pas leximit të aktakuzës nuk kishte pranuar të deklarohej rreth pranimit të fajësisë.