Skandali me shpërndarjen e pyetjeve, ish-kryeprokurori i Gjakovës transferohet në Prokurorinë e Pejës

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë në Gjakovë, Ramiz Buzhala i cili muaj më parë gabimisht ia kishte përcjellë ekipit të KALLXO.com pyetjet për testin i cili do të mbahej për bashkëpunëtorë profesionalë në disa prokurori të ndryshme është transferuar në Pejë.

KALLXO.com mëson se gjatë ditës së sotme është trajtuar edhe rasti i Buzhalës në mbledhjen që u mbajt nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe u vendos që i njëjti të transferohet në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Siç mëson KALLXO.com, ai është vendosur në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë së Pejës.

Një veprim i tillë, në KPK shihet si degradim, transferimi nga pozita që ka pasur në një pozitë më të ulët.

Por në fakt deri më tani, Prokuroria e Shtetit asnjëherë nuk ka njoftuar nëse kanë zhvilluar ndonjë hetim në lidhje me rastin e Buzhalës i cili dërgoi pyetjet gabimisht në numrin e telefonit të gazetares së KALLXO.com, Adelina Ahmeti.

KALLXO.com raportoi edhe kur ish-kryeprokurori Buzhala kishte ofruar një marrëveshje te komisioni disiplinor në të cilën kishte pranuar fajësinë për veprimet që kishte kryer dhe kishte kërkuar transferim në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prizren.

Kjo marrëveshje nuk ishte pranuar nga ana e anëtarëve të KPK-së ndërsa rasti tij vazhdoi edhe për disa muaj që të trajtohet.

Në mbledhjen e kaluar siç mëson KALLXO.com rasti i Buzhalës nuk doli në votim për shkak të kuorumit të anëtarëve të KPK-së.

Rasti i rrjedhjes së pyetjeve për konkursin për bashkëpunëtor profesional

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 të datës 13 korrik, dy muaj më parë.

Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohej dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

KALLXO.com mësoi atë kohë së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë po të njëjtës ditë kur janë dërguar pyetjet, brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje kishte vazhduar të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

KALLXO.com me të marrë vesh se ishte duke u mbajtur një test me shkrim për bashkëpunetorë profesionalë për disa prokurori të ndryshme, kishte shkuar në ndërtesën ku po mbahej testi me shkrim.

Gjatë asaj kohe sa ekipi qëndroi në ndërtesë, gjatë bisedave me disa nga të testuarit për pozitën e bashkëpunëtorit profesionalë, të njëjtit ia konfirmuan ekipit të KALLXO.com se pyetjet ishin të ngjashme sikurse ato që i kishte dërguar kryeprokurori Buzhala gazetares së KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar me dhjetëra herë të kontaktoj sërish me kryeprokurorin Buzhala. Ai në asnjë moment nuk është përgjigjur, as në thirrje e as në mesazhet që i ka dërguar ekipi i KALLXO.com.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com menjëherë ka kontaktuar edhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

I pyetur fillimisht, nëse aktualisht ka ndonjë konkurs për bashkëpunëtorë profesionalë, Kryeprokurori Kelmendi tha se e di që ka, por jo saktësisht.

KALLXO.com ka shkuar edhe një hap më tutje, ka tentuar sërish të telefonoj kryeprokurorin Buzhala por i njëjti kishte bllokuar numrin e gazetares së KALLXO.com.

Pas publikimit të hulumtimit nga KALLXO.com, Këshilli Prokurorial i Kosovës po atë ditë kishte anuluar konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë.

Një ditë më vonë, më saktësisht më 14 korrik, Buzhala ishte suspenduar nga detyra e Kryeprokurorit të Gjakovës.

Ndaj të njëjtit nisi edhe një procedurë disiplinore e cila sipas informacioneve, Buzhala ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar që për rastin që kishte ndodhur të transferohej në një prokurori tjetër si prokuror.

Gjithashtu hulumtimi për ish- kryeprokurorin Buzhala i cili u transmetua si ueb- storie, mori edhe çmim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Gazetarja e KALLXO.com fiton çmimin për web storjen e vitit