Gjakovë - I akuzuari për plagosjen e një personi kërkon negociata me Prokurorinë për pranimin e fajësisë

Nderim Haxhija, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje, kërkon marrëveshje me Prokurorinë.

Në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Nderim Haxhija, avokati Arbër Guta, kërkoi nga gjykata mundësimin e negociatave me prokurorin për marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë.

Prokurori Ramiz Buzhala nuk e kundërshtoi një propozim të mbrojtjes. Gjykatësi Gëzim Pozhegu duke ju lënë kohë për negociata, caktoi seancën e radhës për 19 shtator.

Sipas aktakuzës, Nderim Haxhija po akuzohet se ka shtënë me armë në këmbën e djathtë të të dëmtuarit Besfort Sadrija, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Aktakuza thotë se rasti ka ndodhur në dhjetor të vitit 2016, pas një mosmarrëveshje të mëparshme mes tyre.

Derisa të dytë ishin në veturat e tyre, fillimisht ishin fjalosur me njëri tjetrin, më pas i dëmtuari Besfort Sadrija kishte dalë nga vetura ishte afruar një metër afër të akuzuarit, pastaj i akuzuari Nderim Haxhija kishte gjuajtur me armë, thuhet në aktakuzë.

Ky rast është mbajtur fillimisht në departamentin e përgjithshëm te gjyqtari Mentor Bajraktari, si vepër e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, mirëpo pas kualifikimit të veprës penale në lëndim të rëndë trupor, i njëjti rast ka kaluar në departamentin për krime të rënda.

Në seancën e mbajtur te gjyqtari Mentor Bajraktari, i akuzuari Nderim Haxhija, pas leximit të aktakuzës nuk kishte pranuar të deklarohej rreth pranimit fajësisë.