KPK refuzon marrëveshjen për kthim në punë të kryeprokurorit Ramiz Buzhala
Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e sotëm ka refuzuar marrëveshjen për kthimin në punë të kryeprokurorit të Gjakovës Ramiz Buzhala.
Sipas Këshillit Prokurorial lënda është kthyer në rishqyrtim.
“Në pjesën e mbyllur për publikun të takimit të sotëm, KPK-ja ka trajtuar Marrëveshjen Vullnetare të Panelit Hetimor lidhur me rastin AD.nr.05\2022, me ç‘rast si e tillë nuk është aprovuar kjo marrëveshje, por anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë kërkuar që të kthehet në rishqyrtim” thuhet në komunikatën e KPK-së.
KALLXO.com ka kërkuar që këtë mbeldhje të përcjellë nga vendi i ngjarjes, por KPK ka refuzuar që ekipi i KALLXO.com të jetë i pranishëm në mbledhje. Ata kanë ofruar vetëm qasje online.
KALLXO.com ka raportuar me herët për refuzimin e kësaj marrëveshje nga anëtarët e Këshillit.
Gjatë ditës se sotme ekipi i KALLXO.com ka marrë deklarata edhe nga anëtaret e Këshillit se a do ta votojnë këtë marrëveshje.
Një nga anëtaret e Këshillit, Jehona Grantolli, tha për KALLXO.com se është kundër kësaj marrëveshje.
Ndërsa disa nga anëtarët e tjerë nuk pranuar të deklarohen.
KALLXO.com ditë më parë raportoi ekskluzivisht në lidhje me skemën e cila pretendohet të zhvillohet pasi kryeprokurori Buzhala tashmë ka ofruar një marrëveshje te komisioni hetimor i KPK në të cilën ka pranuar fajësinë për rrjedhje të pyetjeve të testit ndërsa ka kërkuar si masë ndëshkuese të transferohet në Prokurorinë e Prizrenit si prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Dy muaj më parë sistemi prokurorial i Kosovës ishte goditur nga skandali ku kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, i kishte dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë gazetares së KALLXO.com.
Dy muaj më vonë, KALLXO.com zbuloi planin që kryeprokurori i suspenduar të vazhdojë të jetë pjesë e sistemit bazuar në një marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Ndryshe, në mbledhjen e sotme te Këshillit u aprovua edhe vendimi për pagesën e ekspertëve.
“përfshirë edhe mjekoligjorët që ofrojnë shërbime profesionale për sistemin prokurorial, pagesë kjo, e cila do të realizohet në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore” thuhet në komunikatën e Këshillit.
Këshilli po ashtu ka shtyrë për në takimin e ardhshëm prezantimin e raporteve të punës se kryeprokuroreve.