Kryeprokurori Ramiz Buzhala nuk transferohet në Prizren, nuk votohet marrëveshja e tij dhe panelit hetimor

Kryeprokurori Ramiz Buzhala nuk transferohet në Prizren, nuk votohet marrëveshja e tij dhe panelit hetimor

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka refuzuar marrëveshjen e lidhur mes kryeprokurorit Ramiz Buzhala dhe panelit hetimor që ka trajtuar rastin disiplinor të Buzhalës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar anëtarja e Këshillit, Jehona Grantolli.

“Mbledhja shkoi mire sipas rendit të ditës, marrëveshja nuk ka kaluar nëse vetëm po pyesni. Ashtu siç kam thënë edhe paradite unë nuk e kam votuar por edhe kolegët gjithashtu” – tha Grantolli për KALLXO.com.

Sot në mbledhjen e KPK-së në rend dite ishte edhe trajtimi i kësaj marrëveshje, ku anëtarët duhet të votonin për të njëjtën.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka refuzuar kërkesën e ekipit të KALLXO.com për të marrë pjesë fizikisht që u mbajtë sot në KPK.

KALLXO.com ditë më parë raportoi ekskluzivisht në lidhje me skemën e cila pretendohet të zhvillohet pasi kryeprokurori Buzhala tashmë ka ofruar një marrëveshje te komisioni hetimor i KPK në të cilën ka pranuar fajësinë për rrjedhje të pyetjeve të testit ndërsa ka kërkuar si masë ndëshkuese të transferohet në Prokurorinë e Prizrenit si prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Marrëveshja është arritur mes Buzhalës dhe panelit hetimor në të cilin bëjnë pjesë kryeprokurori i Apelit, Xhevdet Bislimi, Bogdan Spadijer prokuror dhe Bashkim Zeqaj po ashtu prokuror në Prishtinë.

Dy muaj më parë sistemi prokurorial i Kosovës ishte goditur nga skandali ku kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, i kishte dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë gazetares së KALLXO.com.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ramiz Buzhala nuk ka pranuar të flasë.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO