Dëshmitari Agim Idirizi gjatë dëshmisë së tij në Gjykatë Speciale
Çka tha në Gjykatë Speciale dëshmitari i hapur? – Përmbledhje e dëshmisë së Agim Idrizit
Në shqyrtimin gjyqësor të së martës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është dëgjuar dëshmitari i 21-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Agim Idrizi.
Dëshmitari Idrizi, ka dëshmuar pa masa mbrojtëse.
Fillimisht, prokurori i specializuar James Pace, tha se dëshmitari Idrizi është shqiptar i Kosovës dhe që i njëjti ishte marrë nga disa anëtarë të UÇK-së në mars të vitit 1999.
Dëshmitari Idrizi, mohoi të ketë qenë polic i institucioneve serbe dhe roje pylli. Këto deklarime, i njëjti i bëri duke i’u përgjigjur prokurorit James Pace.
“Besën e shqiptarit po u’a jap që ka me dalë me vjerrë para gjyqit.. nuk jam kanë as roje pylli, as polic, këto janë gënjeshtra, unë e di kush më ka shti në listë dhe për çka më ka shti në listë” – tha dëshmitari Idrizi gjatë dëshmisë së tij.
Gjatë dëshmisë, Idrizi tha se ai së bashke me persona të tjerë ishin mbajtur të ndaluar dhe ishin rrahur dhe se nuk iu ishte treguar arsyeja e ndalimit.
Sipas dëshmitarit Idrizi, të njëjtit, ishin transferuar në këmbë në një vend tjetër dhe kanë qëndruar me duar të lidhura me shumë persona të tjerë.
Sipas tij, ata kanë fjetur në dysheme dhe janë ushqyer vetëm me bukë.
“Nëse dikush mundet me gjet emrin tim që kam punu polic qysh shkruan në dokument, ai është hasmi im ma i madhi, që ka thanë se Agim Idrizi është polic e roje pylli, këto nuk janë të vërteta, mundeni me pyet në Kaçanik atje, e dinë shumë mirë” – tha dëshmitari Idrizi.
Dëshmitari deklaroi se këtë gjë, ia kanë bërë armiqtë e tij, duke përmendur Enver Axhamin dhe Habib Kokën, e që sipas dëshmisë së tij ata kanë qenë në “bela për çështje pronësore me familjen Axhami”.
Ndërsa lidhur me Habib Kokën, dëshmitari Agim Idrizi tha para gjykatës se ai kishte qenë polic nga koha e Titos, Millosheviqit dhe në momentin e arrestimit të tij kishte kaluar në UÇK.
Dëshmitari u pyet nëse ndonjëherë kishte bërë diçka dhe për shkak të tij është arrestuar ndonjë person.
Dëshmitari tha se “besën po ua jap, kush ka shku prej meje në burg, unë do të jap përgjigje, unë për këtë kam ardhë këtu, për me mshel në burg e kisha mshel Enver Axhamin” – tha dëshmitari Idrizi.
Dëshmitari i quajti gënjeshtra edhe ‘zërat’ se ai u kishte thënë policëve serbë të digjnin shtëpitë e fqinjëve.
“Janë gënjeshtra se kurrë në jetë se kam thanë këtë” – tha dëshmitari.
Dëshmitari e akuzoi familjen Axhami se e kanë vendosur emrin e tij si polic dhe roje pylli duke shtuar “as nuk bëhet fjalë për armë, as për politikë, as për UÇK, për tokë jemi kanë në bela”.
I njëjti gjatë dëshmisë së tij tha që në kohën e arrestimit, 10 pjesëtarë të armatosur e kishin marrë nga shtëpia dhe e kishin quar në ‘Bob’, që tha se Enver Axhami, Fadil Xhaka dhe Rrustem Dema nuk i kishin liruar atë dhe katër të tjerë, ndërsa tha se Jonuz Shurdhani i kishte liruar rreth 15 persona pas marrjes në pyetje.
Dëshmitari tha se Jonuz Shurdhani nuk kishte pasur guxim ta merrte në pyetje atë për shkak të Enverit dhe se sipas tij i kishte thënë se nëse e merr në pyetje, duhet liruar pasi nuk i kanë gjetur asgjë në shtëpi përveç një mjeti bujqësor të hekurit.
Dëshmitari duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit mbrojtës David Young, iu referua problemit me Enver Axhamin dhe Habib Kokën.
I njëjti tha se Enver Axhami dhe Habib Koka i kanë shkaktuar shumë dëm duke ia vendosur emrin e tij në lista me qëllim për ta likuiduar.
Tutje, dëshmitari është marrë në pyetje nga mbrojtja e Thaçit, avokatit mbrojtës Luka Misetiq.
Dëshmitari është pyetur për një artikull gazete në të cilin ishte shënuar se UÇK-ja ishte duke e kërkuar dëshmitarin Agim Idrizi.
Lidhur me artikullin në gazetë, dëshmitari tha se ky shkrim e ka shqetësuar rëndë atë dhe familjen e tij, sepse sipas tij në artikull kishte të pavërteta.
“Edhe ma ka shkru gruan që është çika e Arkanit, Agimi është mik i Arkanit, çka nuk ka shkru, unë nuk e di se qysh jam t’u nejtë gjallë” – tha dëshmitari Idrizi në Hagë.
“Për qita kam ardhë këtu, se s’po mundem me i duru, ku kam marr rrogë, ku jam kanë polic, kanë e kam shti burg, i kam ni këto gjana, qata kom ardhë këtu” – tha ai.
Në vazhdim gjatë dëshmisë, Idrizi pretedon se gjatë marrjen në pyetje sa ishte në kohën e ndalimit, Enver Axhami ka lexuar një listë me emra që e kishte marr nga Habib Koka.
Tutje, dëshmitari përsëri deklaroi se kjo çështje nuk kishte të bënte me UÇK-në, por se problemi ishte shkaku i tokës.
Paraprakisht, ai sqaroi të tilla probleme duke thënë se familja Axhami dhe Koka kishin përhapur gënjeshtra për të, madje u pajtua se kidnapimi i tij është bërë dhe nxitur nga familja Axhami.
Pas përfundimit të dëshmisë, Agim Idrizi pati edhe një thirre për qytetarët e Kaçanikut.
“Ju kisha bë thirrje, tash du me ju bë një thirrje atje në Kaçanik, nëse ka dikush informacione për Agim Idrizin, se kam mshelë shqiptar në burg, le ta shkruajnë, le të më dërgojnë shënimet, cilin shqiptar e pasna shti në burg edhe kujt i kam lajmëruar armë, qito du me i ditë të qarta. Edhe a kam qenë polic edhe a jam kanë rojtar i malit, këtë duhet me bo atje publike në Kaçanik” – tha ai.
‘’Edhe dje menjëherë ma kishin shkrujtë tradhtar i kombit, marre duhet me iu ardhë, tradhtar i kombit a e din kujt i thonë..Më keni bo rezil” – tha dëhsmitari Idrizi mes tjerash.
“Këta ma kanë pru punën me ardhë qitu, dikush duhet me pagu për jetën teme se ma kanë shkatërru” – ishin deklarimet e dëshmitarit në fund të dëshmisë së tij.
Ndërsa në dalje të sallës së gjykimit, i njëjti tha ‘‘Ditën e mirë e bofshi, faleminderit shumë, jam shumë i i kënaqur për të gjitha gjanat që i keni bo, që më keni pru dhe më keni lanë me dal publikisht, se unë kam lyp për me dal vet qitu, unë e kam lyp me dal qitu, jo polici e Gjykata Speciale, unë vetë kom ardhë qitu, le ta dinë’’ – tha dëshmitari.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.