Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Cilat janë arsyet që çuan në arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugova

Kryetari i Istogut Haki Rugova, një drejtor i Komunës dhe një zyrtar i Komunës janë arrestuar pak çaste më parë me urdhër të Prokurorisë.

Prokurorja e rastit ka konfirmuar për KALLXO.com se kryetari i Istogut, Haki Rugova, është arrestuar nën dyshimet për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për firmën “Macon” e cila është në pronësi të vëllait të Haki Rugovës.

Sipas burimeve të KALLXO.com, kryetari Haki Rugova dhe dy të arrestuarit tjerë janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konfliktit të interesit dhe falsifikimit të dokumentit.

Haki Rugova, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, është duke u përballur edhe me një aktakuzë në një proces gjyqësor tjetër, ku akuzohet për konflikt të interesit.

Në vitin 2017, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte zbuluar se Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova bashkë me vëllezërit e tij, në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon”, kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale.

Përveç ndërtimit në tokën e komunës, kompania “Macon”, pronë e vëllezërve Rugova ka marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

Favoret e Komunës së Istogut për Kompaninë e Kryetarit Rugova