(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Avokati i Shaban Gogajt gjobitet nga gjykata për zvarritje të procedurës

Gjykata e Pejës i ka shqiptuar gjobë mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Gëzim Kollqaku, i cili është caktuar me vendim të gjykatës si mbrojtës i Gogajt.

Kollqakut i është shqiptuar gjobë në shumë prej 250 euro, nën arsyetimin se ka shkaktuar zvarritje të procesit gjyqësor.

KALLXO.com ka siguruar këtë vendim të gjykatës.

“Mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, av.Gëzim Kollqaku nga Peja i caktuar sipas detyrës zyrtare i shqiptohet gjoba në shumë prej 250 euro për shkak të zvarritjes së procedurës penale”, thuhet në vendim të gjykatës.

Gjykatësja Violeta Husaj- Rugova në seancën e kaluar tha  se avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Gëzim Kollqaku, e ka refuzuar pranimin e ftesës për seancë.

Në vendimin e gjykatës për shqiptim të gjobës thuhet se avokati Kollqaku nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës, duke refuzuar edhe pranimin e ftesës.

Sipas vendimit, avokati Kollqaku më vonë ka paraqitur arsyet e tij për mos paraqitje në seancë.

Kollqaku në parashtresën e tij dërguar gjykatës ka bërë me dije se ai është kontaktuar nga familjarët e Gogajt, të cilët sipas avokatit nuk e dëshirojnë atë si mbrojtës në këtë proces gjyqësor.

Avokati Kollqaku ka paraqitur edhe arsyet e tjera, duke përfshirë qëndrimin e OAK për këtë çështje.

“Gjykata ka vlerësuar edhe arsyet e parashtruara me vonesë nga ana e avokatit por të njëjtat nuk janë shkaqe të arsyeshme për të refuzuar mbrojtjen”, thuhet në arsyetim të vendimit të gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se arsyetimi i mbrojtësit është në kundërshtim me vendimin e qeverise se Kosovës e cila ka ndaluar ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të OAK, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Sipas gjykatës arsyet e avokatit Kollqaku që të respektohet e drejta e të pandehurit për të pasur mbrojtës janë të pabazuara.

Kjo pasi gjykata ka vlerësuar se i pandehuri Gogaj është njoftuar me të drejtën e tij për të angazhuar mbrojtës, pas përjashtimit të avokatit të tij paraprak, Besnik Berisha, e meqenëse ai nuk ka angazhuar mbrojtës atij i është caktuar mbrojtësi sipas detyrës zyrtare.

Në këto rrethana, gjykata ka vlerësuar se avokati Kollqaku nuk e ka njoftuar gjykatën me kohë e po ashtu ka bërë refuzimin e ftesës pa arsye ligjore e pa shkak personal që e pengon pjesëmarrjen e tij në këtë seancë.

“… po ashtu deri tani nuk e ka kërkuar shkarkimin, të cilin shkarkim mund të kërkoj vetëm për shkaqe të arsyeshme nga veprimet e tilla të mbrojtësit shihet qartë se ka për qëllim zvarritjen e procedurës penale”, ka thënë gjykata në vendimin e saj.

Seanca e fundit në këtë rast ishte më datën 29 dhjetor të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zvarritjet e këtij procesi që i gjeni në këtë LINK.