Avokati Besnik Berisha - Foto: Facebook
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës: Besnik Berisha me gjuhë fyese, ka denigruar sistemin prokurorial
Përmes një reagimi publik, Shoqata e Prokurorëve me kryetar, Naim Abazi ka dënuar gjuhën e përdorur nga avokati Besnik Berisha për prokurorin Rasim Maloku, në një intervistë në emisionin “Ditari i Buzhalës” e shfaqur me 17 korrik.
Sipas këtij reagimi, avokati Berisha ka ofenduar rëndë dhe me një gjuhë shumë të ulët prokurorin e çështjes i cili e kishte arrestuar avokatin në bazë të autorizimeve dhe detyrave.
Avokati Berisha në emisionin e lartpërmendur ka përdorur fjalët “ahmak, këlyshi i pushtetit i veshur me petkun e prokurorit”.
Shoqata konsideron se gjuha e përdorëur është gjuhë e urrejtjes, ka ofendime dhe kërcënime ndaj prokurorit Maloku, si dhe është në kundërshtim me standardet e Kodit të procedurës penale dhe praktikat ndërkombëtare.
Këto standarde sipas shoqatës, ndalojnë qasjen ku avokatët, prokurorët apo gjykatësit i trajtojnë çështjet penale publikisht nëpër media, duke ofenduar dhe përhapur të pavërteta.
“Shoqata e Prokurorëve dënon ashpër qasjen dhe veprimet e avokatit Besnik Berisha, duke shpërndarë gjuhën e urrejtjes, ofendimeve dhe kërcënimit ndaj prokurorit Maloku, në kundërshtim me parimet e përcaktuara, me ç’rast standardet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe me praktikat ndërkombëtare, të zbatueshme në Kosovë, ndalojnë qasjen ku avokatët, prokurorët apo gjykatësit, i trajtojnë çështjet penale publikisht nëpër media, duke ofenduar dhe përhapur të pavërteta. “- thuhet në reagim.
Kjo shoqatë vlerëson se mbrojtja e autoritetit dhe pavarësisë së prokurorëve është thelbësore, kurse gjuha e përdorur nga Berisha është e patolerueshme në një shoqëri demokratike.
Në fund të këtij reagimi, Shoqata e Prokurorëve bën thirrje edhe ndaj Odës së Avokatëve për inicim të procedurës disiplinore ndaj avokatit në fjalë për shkelje të Kodit dhe Etikës profesionale të avokatëve, si dhe ka ftuar njëkohësisht edhe Prokurorinë Themelore të ndërmarre veprime ndaj gjuhës së urrejtjes, ofenduese dhe kërcënuese.
KALLXO.com i është drejtuar me pyetje Prokurorisë Themelore rreth ndërmarrjes së këtyre veprimeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Gjykata Themelore në Ferizaj me 16 korrik ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj avokatit Besnik Berisha.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj Besnik Berishës është caktuar masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.
Më 13 korrik, avokati Besnik Berisha dhe 6 persona të tjerë ishin arrestuar nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.
Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim për avokatin Besnik Berisha