I akuzuari Fatlum Mehmeti, seanca 08.12.2023, Foto:KALLXO.com

VIDEO - Gjykimi për ahengun që solli mort

Lirim Haxholli, zyrtar policor 27-vjeçar kishte mbetur i vrarë nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmetit, në një aheng në shkurtin e vitit 2022.

Dosja e prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Fatlum Mehmeti po akuzohet se vrau me dashje eventuale policin Haxholli nga një distancë 70-80 cmm.

Gjykimi ndaj tij dështoi të mbahej sot, pasi që avokati i familjes së policit të vrarë, Besnik Berisha kërkoi përjashtimin e trupit gjykues të përbërë nga Kushtrim Shyti, Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

Para se të kërkonte një gjë të tillë, atij iu refuzua kërkesa për shtyrjen e seancës, meqë prokurori i çështjes Ilaz Beqiri ishte avancuar në Prokurorinë e Apelit dhe i duhej kohë sipas tij të koordinoheshin me prokurorin i cili do të barte lëndën e prokurorit aktual Ilaz Beqiri.

Lidhur me këto kërkesa, reagoi avokati i të akuzuarit, Labinot Buzuku i cili tha se kjo ishte e paarsyeshme dhe nuk e di se çfarë koordinimi i duhet prokurorisë dhe palës së dëmtuar lidhur me çështjen, kurse lidhur me përjashtimin e gjyqtarëve, Buzuku tha se duhet të dihen arsyet e kërkesës para bërjes së saj.

Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve të rastit do të vendoset nga kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Albina Shabani-Rama.

Deri në vendosjen e saj, ky gjykim është shtyrë.

Në seancën e fundit kishte dëshmuar zyrtari policor A.Z. i cili kishte qenë në ahengun ku kishte ndodhur vrasja.

Ai kishte rrëfyer për momentet e para pas ndodhjes së ngjarjes kritike e deri tek dëshmitë e tij të dhëna në institucionet e drejtësisë.

“Kam qenë ratë në një krevet, kur e kam dëgju krismën, kam mbetur i shtangur dhe e kam parë Fatlumin me armë në dorë, ka qenë duke e shikuar (armën). I kam bërtitur: “Gjuaje armën!”.

Pastaj ka filluar ta shajë e godasë veten Fatlumi duke i thënë vetes: “Çka bone o budallë?” – kishte rrëfyer para gjykatës dëshmitari.

Dëshmitari kishte thënë se para se të ndodhte vrasja momenti i fundit që e kishte parë të akuzuarin atë natë ishte ai kur Fatlum Mehmeti ishte duke qëndruar shtrirë dhe me telefon në dorë.

Avokati Besnik Berisha për këto deklarime të dëshmitarit kishte thënë se këto detaje ishin të reja dhe të pathëna më parë.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari pjesëtar i Policisë së Kosovës, me akademi policore të përfunduar, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare e tipit Gllok e kal. 9 mm.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”.Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Fatlum Mehmetit, Gjykata i kishte shqiptuar masën e paraburgimit ndërsa të dyshuarve të tjerë u kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.