(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Moscaktimi i avokatit bllokon gjykimin e Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen në Deçan

Procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt, i cili po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, nuk po arrin të vazhdojë tash e 5 muaj.

Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.

Sot në seancë gjyqësore Shaban Gogaj u paraqit pa mbrojtës, duke thënë se ai i ka paraqitur një kërkesë Gjykatës për këtë çështje dhe se nuk ka çka të deklarojë më shumë.

Gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova tha përmes një reagimi të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) është kuptuar se nga ana e tyre nuk do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare Shaban Gogajt.

KALLXO.com ka raportuar për këtë reagim të OAK-së.

OAK po e konsideron si të padrejtë vendimin për përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga kjo çështje penale, pasi sipas tyre nuk ka shkelje në veprimet e avokatit Berisha.

Në reagimin e fundit të publikuar nga ana e tyre thuhet se mbetet në fuqi vendimi paraprak për moscaktimin e një avokati sipas detyrës zyrtare për të pandehurin Gogaj.

Në anën tjetër vendimi për dënimin me gjobë prej 500 euro ishte atakuar dy herë në Gjykatën e Apelit nga Besnik Berisha.

Fillimisht Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës e ka kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij.

Pas kësaj, Gjykata e Pejës sërish ka dënuar avokatin me 500 euro gjobë.

Ky vendim i fundit i Gjykatës u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Gjyqtarja Violeta Husaj Rugova sot në seancë gjyqësore informoi për përpjekjet e Gjykatës për t’i siguruar një mbrojtës të akuzuarit Shaban Gogaj.

“Gjykata duke parë se OAK nuk ka angazhuar avokat, gjykata ka kontaktuar zyrën regjionale të OAK në Pejë, ku zyrtarja ka informuar se nuk mund të caktojnë avokat sipas vendimit të OAK.”, tha ajo.

Gjykatësja tha se në këto rrethana, Gjykata i ka caktuar të akuzuarit Gogaj si avokat Gëzim Kollqakun, por se edhe ky i fundit ka deklaruar se nuk mund të angazhohet në këtë çështje.

“Nga Kollqaku kemi marrë njoftimin se nuk mund të angazhohet në këtë çështje meqenëse është i obliguar të respektojë vendimin e OAK, sepse nëse vepron të kundërtën është shkelje e rëndë dhe mund t’i merret licenca”, tha gjyqtarja Husaj-Rugova.

Gjykatësja tha se meqenëse OAK po refuzon të caktojë një mbrojtës për Gogajn, Gjykata tutje do i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë çështje.

“Neni 44 mbi avokatinë, i drejtohemi Ministrisë së Drejtësisë, ose përmes KGJK, për të njoftuar për vendimet e OAK për mos me caktu avokat sipas detyrës zyrtare”, tha Husaj- Rugova.

Po ashtu në seancë Gjykata njoftoi të akuzuarin se vendimi për përjashtim të Besnik Berisha është i paapelueshëm në këtë fazë e deri në marrjen e një vendimi meritor nga Gjykata.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca është shtyrë për datën 29 dhjetor.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë çështje.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte marrë vendim që ta ndërrojë prokurorin e rastit, Agron Uka.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen  dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.