Avokati Florim Shefqeti - Foto: KALLXO.com

Avokati i palës së aksidentuar e quan "jonormal" mosreagimin e Rozeta Hajdarit si ngasëse

Pas përfundimit të seancës për procedurën kundërvajtëse ndaj ministres Rozeta Hajdari, e cila dyshohet se në prill të vitit të kaluar kishte aksidentuar një të mitur, është deklaruar avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti.

Avokati nënvizoi faktin se sërish seanca gjyqësore qe e mbyllur për mediat dhe publikun.

“Po, siç e dini sot ka qenë seanca e radhës, ku e pandehur është zonja Rozeta Hajdari. Ashtu siç është përcaktuar paraprakisht, seanca ka vazhduar realisht pa praninë e mediave. Ndonëse Gjykata kishte marrë vendim në seancën e kaluar duke thënë kjo seancë megjithatë prapë nuk është bërë lejimi i mediave”- është shprehur Shefqeti.

Shefqeti ka treguar se sot është marrë në pyetje grupi i ekspertëve.

“Sot gjatës seancës është bërë marrja në pyetje e grupit të ekspertëve, fillimisht nga ana e avokatëve të zonjës Hajdari pastaj edhe nga ana e jonë” – ka treguar avokati.

Ai ka treguar se për ekspertizën e kryer kanë pasur disa vërejtje dhe sygjerime.

“Të gjithë ekspertët në parim e mbështesin ekspertizën që ata e kanë konstatuar. Ne kemi pasë vërejtjet dhe sygjerimet në raport me moskonstatimin e gjendjes teknike të automjetit, dhe ajo çka është thënë nga ekspertët është se ajo ka qenë detyrë e Policisë së Kosovës që të bëhet kontrollë teknike e jashtëzakonshme në rastet kur ka aksidente” – ka shpjeguar Shefqeti.

Avokati ka treguar se njëlloj si Policia edhe ekspertët në ekspertizë kanë konstatuar se nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit nga ana e të pandehurës.

Ai i ka quajtur kontestuese deklarimet kundërthënëse të ekspertëve dhe ministres.

“Ajo që del kontestuese, por do ta deklarojmë në seancat e radhës, ekspertët kanë konstatuar në ekspertizë që automjeti i parkuar e ka penguar shikimin ndërsa vetë e pandehura ka deklaruar që fëmijët i ka parë duke dalë nga marketi” – shtoi ai.

Avokati për më tepër e ka cilësuar jonormal mosreagimin e Rozeta Hajdarit gjatë ngasjes.

“Prej daljes nga marketi deri te rruga është një distancë fizike për të cilën dyshojmë se nuk është normale, është dashur të ketë reagim nga ngasësi i automjetit, në këtë rast e pandehura Rozeta Hajdari” – është shprehur Florim Shefqeti.

Ai ka treguar se seanca e radhës është caktuar për ditën e premte.

E pas seancës nuk ka dashur të deklarohet ministrja Rozeta Hajdari.

“Më falni, seanca është e mbyllur. Ju kërkoj ndjesë, punë të mbarë” – është shprehur shkurt ajo.

Për rastin në fjalë ishte caktuar të bëhet super-ekspertizë.

Në këtë seancë i pranishëm ishte edhe ekipi i ekspertëve për të dhënë versionin e tij lidhur me këtë aksident.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari është filluar nga stacioni policor, nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur më 10 prill 2022, në ora 12:25, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, ku një vajzë e mitur u aksidentua.