Avokati i Haki Rugovës mbron edhe prokurorin që e përfaqësonte rastin

Në gjykatën e Pejës të mërkurën ka vazhduar procesi gjyqësor kundër të parit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për veprën penale të konfliktit të interesit.

Ndryshe nga seanca e kaluar ku përfaqësues i aktakuzës ka qenë prokurori Ramiz Buzhala, këtë seancë aktakuzën ndaj Haki Rugovës e ka përfaqësuar Ali Uka, zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovë.

Ndaj prokurorit Ramiz Buzhala është duke u zhvilluar procedurë disiplinore në Këshillin Prokurorial të Kosovës bazuar në hulumtimin e realizuar nga emisioni Drejtësia në Kosovë.

Prokurori Buzhala i cili ka përfaqësuar çeshtjen penale në seancën e kaluar ndaj Haki Rugovës, ka angazhuar Besnik Berishën si avokat për ta mbrojtur në çështjen disiplinore të iniciuar kundër tij, të njëjtin avokat me të cilin ka qenë palë e kundërt në procedurë në rastin e Rugovës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Uka.

Uka tha se meqenëse prokurori Buzhala ka angazhuar në procedurën disiplinore ndaj tij si mbrojtës avokatin Besnik Berisha, tash e tutje çështjen penale ndaj Haki Rugovës do ta përfaqësojë ai para Gjykatës.

Emisioni Drejtësia në Kosovë ka transmetuar pamje nga kamerat e fshehta në ambientet e punës së prokurorit Ramiz Buzhala në Gjakovë.

Prokurori është filmuar gjatë një takimi me famijarë të Ruzhdi Ramadanit një qytetari nga Ferizaj, i cili është lënduar në një aksident në punë.

Gjatë bisedës është zbuluar se prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetime se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Takimi në mes prokurorit dhe vëllait të viktimës është zhvilluar në kohën kur aktakuza ka qenë në gjykatë.

Seanca e radhës kundër Haki Rugovës është caktuar të mbahet më 10 dhjetor 2019.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, akuzohet se personalisht ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, tender i cili iu ka besuar kompanisë “’MA-CON’ Sh.P.K, në pronësi të Gani Rugovës, vëllait të Haki Rugovës.

Sipas aktakuzës vlera e këtij tenderi ishte 289,119.85 euro.

Haki Rugova në janar të këtij viti ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza,

Aktakuza ndaj të parit të Istogut, Haki Rugova, erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ kundër Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Hulumtimin e Drejtësia në Kosovë, në lidhje me ketë rast e gjeni në ketë link.