Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Arsyetimi i Gjykatës për hudhjen e aktakuzës ndaj Naim Sallahut, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Gjykata Themelore në Gjilan, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit Naim Sallahu, i akuzuar për veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, dhe e ka hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Sallahu akuzohet se në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, “Sallahu” ShPK, me seli në fshatin Biçec, Komuna e Kaçanikut, me vetëdije i ka shkelur rregullat e Prokurimit Publik.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari gjatë një oferte për dhënien e kontratës së Prokurimit Publik, duke mos paraqitur para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe që e ka pasur obligim sipas Ligjit për Prokurimin Publik.

“Gjykata pasi analizoi kërkesën për hudhjen e aktakuzës, përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe shkresat e tjera të lëndës, konstatoi se kërkesa për hudhjen e aktakuzës e mbrojtësve të të pandehurit, avokatit Idriz Syla dhe avokatit Flamur Bllacaku, është e bazuar” thuhet në vendimin e Gjykatës së Gjilanit.

Tutje, në vendim thuhet se në rastin konkret, Naim Sallahut me aktgjykimin P.KR.nr. 94/18, i ishte shqiptuar fillimisht dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, e pastaj ky dënim i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në lartësi prej 3000 euro, e qe në këtë rast konsiderohet se Naim Sallahu është dënuar vetëm me gjobë, sepse dënimi i fundit i shqiptuar nga gjykata është me gjobë, i cili dënim në bazë të nenit 93 paragrafi 2 të KPRK-së nuk krijon pasoja juridike, në regjistrat e gjykatave nuk figuron se ky person ka qenë i dënuar.

Kujtojmë se me datën 29 shtator 2021, Gjykata Themelore në Gjilan ka mbajtur seancën fillestare në të cilën i pandehuri Naim Sallahu, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë sipas aktakuzës. Gjykata të pandehurit dhe mbrojtësve të tij, u ka lënë një afat 30 ditor për paraqitjen e kundërshtimeve të tyre ndaj aktakuzës.

Kurse, gjykatësi Naser Maliqi, i cili ka vendosur lidhur me hudhjen e aktakuzes ndaj Naim Sallahut, për Kallxo.com, ka thënë se Prokuroria e Gjilanit ka bërë ankesë në vendimin e tij për siç tha gjykatësi “i kanë aresye e veta për ta goditur vendimin e Gjykatës”.

Sipas Prokurorisë Naim Sallahu, në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, “Sallahu”, SHPK, me seli në fshatin Biçec, Komuna e Kaçanikut, me vetëdije i ka shkelur rregullat e Prokurimit Publik gjatë një ofertë për dhënien e kontratës së Prokurimit Publik.

Sipas aktit akuzues i akuzuari, gjatë aktivitetit të Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, ndërtimi i rrugës Viti – Kërbliq – Kaçanik, ka aplikuar duke ndërmarrë veprim të paligjshëm, me qëllim të ndikimit në vendimin, aktivitetin e Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që nuk ka paraqitur para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues P.Kr. nr. 16/2018 të dt. 30.03.2018 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe që e ka pasur obligim sipas Ligjit për Prokurimin Publik.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

I akuzuari në pushime, dështon seanca gjyqësore