Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

I akuzuari në pushime, dështon seanca gjyqësore

Naim Sallahu, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në Prokurorimin Publik, sot është dashur të dalë para Gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë. Por seanca ndaj tij dështoi të mbahet pasi sipas Gjykatës i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës dhe gjendet jashtë shtetit për pushime.

Seanca e sotme u shty për 29 shtator.

Sipas Prokurorisë Naim Sallahu, në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, “Sallahu”, SHPK, me seli në fshatin Biçec, Komuna e Kaçanikut, me vetëdije i ka shkelur rregullat e Prokurimit Publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së Prokurimit Publik.

Sipas aktit akuzues i akuzuari, gjatë aktivitetit të Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, ndërtimi i rrugës Viti – Kërbliq – Kaçanik, ka aplikuar duke ndërmarrë veprim të paligjshëm, me qëllim të ndikimit në vendimin, aktivitetin e Prokurimit Publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që nuk ka paraqitur para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues P.Kr. nr. 16/2018 të dt. 30.03.2018 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe që e ka pasur obligim sipas Ligjit për Prokurimin Publik.