Zvarritje në procesin gjyqësor të Haki Rugovës

Ishte marsi i vitit 2018 kur Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, për vepër penale konflikt interesi.

Për 3 vjet gjykata e Pejës nuk ka arritur të përfundojë shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit Haki Rugova.

Ai është ulur sërish sot në bankën e të akuzuarit për veprën penale konflikt interesi.

“Nuk e ndiej vetën fajtor”, ishin fjalët e Haki Rugovës sot para gjykatës.

Ky proces gjyqësor ka rifilluar sot pas ndërrimit të trupit gjykues, dhe palët në procedurë dhanë fjalën hyrëse.

Prokurori Ali Uka tha se nga provat në shkresat e lëndës, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa pas fjalës hyrëse, seanca nuk u vazhdua për arsye të mungesës së mbrojtësit së të akuzuarit Rugova, avokatit Besnik Berisha.

Avokati zëvendësues i të akuzuarit Rugova, Gëzim Kollqaku, që ishte i autorizuar nga avokati Berisha, tha se nuk ka autorizim të vazhdojë tutje me dëshmitar.

“Unë autorizimin e kam vetëm për fjalën hyrëse” tha Kollqaku.

Në anën tjetër Rugova tha se nuk do të lëshohet mëtej për seancë pa prezencën e avokatit Berisha.

“Përkundër respektit për avokatin Kollqaku, prokurorit dhe gjykatës, unë nuk pranoj të vazhdoj pa avokatin Besnik Berisha”, tha Rugova.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu e njoftoi të akuzuarin Rugova se vepra për të cilën akuzohet ai, nuk e parasheh të detyrueshme mbrojtjen, andaj në seancën e radhës në rast të mungesës se mbrojtësit, do të procedohet edhe pa të.

“Për seancën e radhës duhet të caktohet mbrojtësi tjetër nëse nuk vjen avokati Berisha, por meqenëse mbrojtja nuk është obligative, Rugova njoftohet se do të procedohet edhe pa mbrojtës”, tha Sharraxhiu.

Gjykatësi shtoi se në autorizim zëvendësues nuk është e specifikuar se autorizimi për avokatin Kollqaku vlen vetëm për fjalën hyrëse.

Në këto rrethana seanca u shty duke u caktuar data 8 prill 2021 për mbajtjen e saj.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë’.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ SH.P.K, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.