Arrestohet një zyrtar i MPB-së dhe një rreshter, të dyshuar për aktivitete kriminale

Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, saktësisht kryeinspektor në Agjencinë e Regjistrit Civil dhe një rreshter që punon në kuadër të Departamentit për Hetimet e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Përveç dy zyrtarëve, është arrestuar edhe një qytetar nga Kaçaniku.

Drejtori i Hetimeve, Riza Shillova, ka thënë se zyrtari i MPB-së ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale për të cilin është dorëzuar kallëzim penal për trafikim me qenie njerëzore.

“Zyrtari i MPB-së ka qenë në hetim qe një kohë të gjatë, është ushtru kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, nga Drejtoria e hetimit të trafikimit me qenie njerëzore, për falsifikim të dokumenteve, pajisje me dokumente në mënyrë të paligjshme, për kosovarë dhe të huaj, ndoshta iu kujtohet rasti i dy të dyshuarve shtetas turq që kanë marrë dokumente kosovare. Hetimet kanë fillu në atë periudhë  ndoshta edhe më herët”, ka shtuar Shillova në Konferencë për media.

Shillova ka theksuar se në këtë rast janë të përfshirë edhe zyrtarë policor.

I arrestuar është edhe një qytetar nga Kaçaniku që ka qenë i përfshirë në këtë grup kriminal.

Gjatë ditës së djeshme janë arrestuar dy zyrtarë të lartë policor, për të cilët Shillova tha se janë suspenduar për tri ditë. Ndërsa sot është arrestuar një rreshter.

“Janë arrestuar dy zyrtarë të lartë të tjerë, të njëjtit kanë qenë të përfshirë në operacioni e sotëm, kanë kry aktivitete për të cilat është marrë dje urdhër kontrolli dhe është bërë arresti sot. Kemi të bëjmë me dy raste të ndara, një nga IPK që janë arrestuar dje, dhe janë suspenduar për tri ditë, por të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rastin e sotëm. Sot është arrestu një rreshter”, ka thënë Shillova.

Në mbrëmjen e djeshme janë arrestuar dy zyrtarë të lartë të krimeve ekonomike, njëri prej tyre për marrje ryshfeti.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar sot, se  me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, tre persona të dyshuar, në mesin e tyre dy zyrtar, njëri hetues  (S.Xh), në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (DHKEK), një zyrtar (A.M), i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Kryeinspektor i Agjensionit të Regjistrimit Civil, si dhe një person tjetër me inicialet (L.B), për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe“Dhënia e ryshfetit”.

LIVE – Detajet nga Policia e Kosovës për arrestimin e hetuesve policorë

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 6 février 2020