Prokuroria kërkon paraburgimin e 12 zyrtarëve të ATK-së

Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica janë zyrtarët e ATKS-që po dyshohen për mashtrim në detyrë.

Prokuroria e Prishtinës për të një jtit ka kërkuar masën e paraburgimit.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë Laureta Ulaj.

Në mesin e të arresturve është edhe një pronar biznesi.

Këta zyrtarë dyshohet se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga F. P., një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim të TVSH-së.

Arrestimi i tyre u bë gjatë ditës së djeshme në aksionin e Prokurorisë së Prishtinës dhe hetuesve të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Në një njoftim të Prokurorisë së Prishtinës thuhej se në total 13 persona janë arrestuar gjatë aksionit, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës e një pronar biznesi.

Përveç tyre, dy pronarë të një biznesi në Podujevë janë duke u kërkuar nga organet e ndjekjes.

Ata po dyshohet se janë të përfshirë në rastin e mashtrimeve me fatura fiktive në këtë rast.

B. B. dhe B. B. në bazë të njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Prishtinës dyshohen se kanë kryer veprat penale të shmangies nga tatimi dhe prezantim i dokumenteve të rrejshme lidhur me tatimin.