Dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve tatimorë e biznesmenëve në mashtrime, detaje rreth aksionit të Krimeve Ekonomike - FOTO

Në disa lokacione të ndryshme në Podujevë, Prishtinë e Prizren, njësitet e Drejtorisë së Krimeve Ekonomike janë duke zhvilluar një aksion nën dyshimet për vepra penale të mashtrimit, shmangie nga tatimi dhe prezantim të dokumenteve të rrejshme.

Aksioni i cili po zhvillohet nga hetuesit e Krimeve Ekonomike e që po udhëhiqen nga hetuesi Pajtim Kllokoqi nën urdhërat e Prokurorit Bekim Kodraliu, ka nisur që të hetohet nga ky i fundit para disa javësh.

Dyshimet janë se dy biznesmenë e disa zyrtarë tatimorë janë të përfshirë në veprat penale të mashtrimit në detyrë, shmangie të tatimit, dokumentimi i rrejshëm.

13 zyrtarë tatimorë po dyshohen për veprën penale të mashtrimit në detyrë, të njëjtit dyshohet se kanë pranuar aplikimin e biznesmenit për një rimburësim për TVSH ndërsa nuk e kishin kthyer rastin mbrapa ani pse kishin marrë një konkluzion nga një komision brenda ATK-së, që faturat që kishte dërguar një biznesmen për rimburësim ishin fiktive.

Dëmi që konsiderohet që do t’i shkaktohej shtetit me këto veprime është vlerësuar të jetë 2.8 milionë euro.

KALLXO.com mëson se biznesmeni nga Prizreni dyshohet se ka blerë dhjetëra fatura nga një biznes në Podujevë. Vlera e këtyre faturave që i ka prezantuar biznesmeni nga Prizreni në ATK për rimburësim arrinte shifrën e 18 milionë eurove. Në bazë të vlerësimit për rimburësim atij i takonin 2.8 milionë euro rimburësim, por që gjatë kohës sa ishte trajtuar kërkesa nga ana e komisionit brenda ATK-së ishte vërejtur se faturat janë fiktive dhe se biznesi në Podujevë ishte pa qarkullime.

Policia gjatë ditës së sotme ishte në zyrat e ATK-së për të shoqëruar disa nga inspektorët tatimorë të përfshirë në rast.

Disa nga ta nuk u gjetën në vendin e punës për shkak se kishin dalë në kohë pauze e të tjerë u shoqëruan në polici për intervistim.

Në anën tjetër, njëri nha dy biznesmenët e dyshuar për shmangie nga tatimi dhe dokumentim të rrejshëm është arrestuar – ai nga Prizreni dhe Policia vazhdoi me bastisje në pronat e tij.

Deri më tani prokuroria ka në dorë provat qe vërtetojnë shumën e faturave të blera e që më pas të njëjtat u shfrytëzuan për të aplikuar për rimburësim.

Pra bizneset në Kosovë kanë të drejtë që të aplikojnë për rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Aktualisht policia po vazhdon që të kryejë bastisje në hotelin e biznesmenit nga Prizreni, hotel ky që u përdor si pretekst se në të u kryen ndërtime gjatë periudhës 2020.

Aktualisht ekipet policore por edhe prokurori i rastit Bekim Kodraliu gjendet në vendin e ngjarjes në Prizren në njërën nga hotelet për të cilën pretendohet edhe që u përdorur për tu kryer veprat penale.