12 zyrtarë të ATK-së të arrestuar në aksionin e Policisë dhe Prokurorisë

13 persona janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në disa lokacione në Kosovë.

Dy lokacione, një në Prishtinë e tjetri në Prizren, janë dy pika kryesore të cilat u bastisën gjatë ditës së sotme e nga të cilat u arrestuan të dyshuarit.

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se nga të arrestuarit 12 janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës e një është biznesmen.

KALLXO.com raportoi gjatës së sotme për dyshimet që ka ngritur Prokuroria për rastin.

“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”,, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Prishtinës.

Andaj, B.B., F.P. dhe B.B. pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.

Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M. janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Prokuroria në koordinim me Policinë do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.