Apeli ulë dënimin për njërin nga të akuzuarit për katër thasë marihuanë

Albert Memia, ish-zyrtar policor dhe Armand Muçaj nga Shqipëria, në muajin korrik të vitit 2020 ishin dënuar me burg e gjobë nga Gjykata e Gjakovës.

Nga kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, i akuzuari Armand Muçaj ishte dënuar me 4 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, ndërsa Albert Memia ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 3 mijë eurosh.

Ata akuzoheshin për katër thasë të mbushur me marihuanë në peshë prej 29 kg e 317 gram, se në bashkëkryerje kishin transportuar nga Shqipëria në Kosovë.

Pas këtij vendimi, Prokuroria dhe avokatët e të akuzuarve kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Mirëpo, sa i përket vendimit mbi dënimin, Gjykata e Apelit me kryetar të kolegjit Vaton Durguti, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Armand Muçaj, avokatit Meshari Seljmaj dhe ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Gjakovës, duke i shqiptuar 3 vite e 2 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Këtë ndryshim të dënimit, Apeli e vlerësoi duke parashikuar të gjitha rrethanat lehtësuese, e posaçërisht pranimin e fajësisë nga i akuzuari Armand Muçaj, i cili dënim nuk ishte në propocion me të akuzuarin tjetër Albert Memia, i cili nuk e kishte pranuar fajësinë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit Albert Memia, avokatit Gëzim Kollçaku.

Që të dy gjenden në paraburgim, që nga data 21 gusht të vitit 2019.

Nga shkalla e parë, atyre i është dhënë edhe dënimi plotësuse të iu konfiskohet marihuana në peshë prej 29 kg e 317 gr dhe vetura e Albert Memias.

Ata akuzohen se në gusht të vitit 2019, nga Shqipëria në Kosovë kanë transportuar katër thasë marihuanë.

Armand Muçaj ishte deklaruar i fajshëm ndaj akuzës së Prokurorisë, mirëpo gjykata kishte refuzar pranimin e fajësisë, ndërsa Albert Memia ish-zyrtar policor në Shqipëri nuk kishte pranuar akuzën që i ngarkohet.

Kallxo.com ka raportuar për këtë rast.

Dy të akuzuarit nuk kishin arritur një marrëveshje për pranim të fajësisë edhepse ajo ishte kërkuar nga vetë ata.

Albert Memia dhe Armand Muçaj po akuzohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogës.

Sipas aktakuzës, në ditën e 29 gushtit të këtij viti, dy të akuzuarit pas një marrëveshje nga fshati Mejdan i Tropojës përmes pikës kufitare Qafë Morinë kishin ardhe në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, e më pas janë parkuar te qendra tregtare “ETC”, në Gjakovë.

Substancën narkotikë ata e kishin vendosur në veturën e tipit Mercedes, me qëllim të shitjes- thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se më pas të njëjtit janë ndalur nga Policia, pasi që Policia kishte informata që në veturën e Albert Memia ndodhet substanca narkotike.

Pas kontrollit në bagazhin e veturës kanë gjetur katër thasë të mbushura me marihuanë, me peshë prej 29 kilogramë e 317 gramë.