Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

140 ditë burg dhe 12 mijë euro gjobë për ish-drejtorin e administratës dhe financave të KPM-së

Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave është gjetur fajtor për vepër penale, marrja e ryshfetit.

Billali është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Kjo është bërë e ditur përmes komunikatës së gjykatës së Prishtinës.

Bilalli po akuzohej bashkë me ish-kryeshefin e KPM-së, Luan Latfi se kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit në bashkëkryerje.

Billali kishte pranuar fajësinë ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm, ku pastaj ishte veçuar procedura ndaj Billallit.

Sot gjykata i ka shqiptuar Bilallit edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, në administratës publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite.

Sipas aktakuzës Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se sin ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.