Ilustrim

Akuzohet se shtyu të miturën të blejë produkte kozmetike me 500 euro false, dënohet me 1 vit burg

Gjykata e Prizrenit e ka dënuar me një vit burgim A.H., i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të parasë.

Sipas prokurorisë, A.H., akuzohet se me 7 gusht 2021, rreth orës 18:00 në Prizren, me dashje duke e ditur se paraja është e falsifikuar, me qëllim që ta vë në qarkullim paraprakisht merret vesh me të miturën K.P., nga Prishtina, të cilës ia dorëzon kartëmonedhën prej 500€.

Tutje në aktgjykim thuhet se e mitura më pas hyn në biznesin “D.P.T “……….”, pronar i të cilit është i dëmtuari F.S., nga Prizreni dhe me kartëmonedhën në fjalë e njëjta blen produkte të ndryshme në shumën prej 45€.

I dëmtuari duke qenë nën lajthim, e pranon kartëmonedhën e falsifikuar dhe ia kthen kusurin në shumën prej 455€, me ç ‘rast në momentin që e mitura pranon kusurin, largohet me vrap nga vendi i ngjarjes.

Sipas Prokurorisw, A.H., ka kryer veprën penale të falsifikimit të parasë.

I akuzuari është obliguar që në emër të dëmshpërblimit, t’ia paguaj të dëmtuarit F.S., shumën prej 500€ në afat prej 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ky vendim është marrë më 5 qershor 2023, nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi bashkë me anëtarët Sadije Selmani dhe Sefer Gutaj.

Në bazë të provave të administruara gjykata ka vërtetuar këtë gjendje faktike se A.H., ditën kritike me automjetin e vet diku pasdite, ka udhëtuar për në Prizren me të miturën K.P.,, të cilës ia ka dhënë kartëmonedhën me vlerë prej 500€ duke e udhëzuar që të shkojë në lokal për të blerë disa gjëra dhe pastaj të kthehet në veturën e tij.

Sipas udhëzimeve e mitura ka hyrë në lokal, ka zgjedhur disa produkte kozmetike, ka paguar me atë kartëmonedhë vlerën e produkteve prej 45 €, pasi ka marrë kusurin dhe sendet e blera, është kthyer me vrap në veturë, nw tw cilwn e ka pritur i akuzuari.

Ndërsa i dëmtuari pasi ka marrë monedhën, ka dyshuar në vërtetësinë se saj, ka vrapuar pas vajzës por nuk e ka zënë.

Tutje thuhet se dëshmitarja sapo ka hyrë në veturë, kusurin e ka lënë ne veturë duke e mbajtur për vete një pjesë të parave, dhe pastaj të dytë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në ndërkohë i dëmtuari rastin e kishte lajmëruar në polici.

Gjykata i ka besuar deklaratave të të dëmtuarit dhe të dëshmitares sepse janë të bindshme, përputhen me njëra tjetrën dhe tregojnë realitetin e ngjarjes ditën kritike.

Në bazë të provave të administruara gjykata ka vërtetuar i akuzuari veprën penale e ka kryer me dashje.

Kjo duke pasur parasysh se i njëjti jeton në Podujevë, ka shfrytëzuar naivitetin e të miturës K.P.,, të cilës ia ka dhënë kartëmonedhën e falsifikuar me vlerë prej 500€ që ta vë në qarkullim, në mënyrë që e njëjta të blejë disa gjëra dhe në atë mënyrë të përfitojë të holla të vërteta.

Sipas mendimit të gjykatës nuk është rastësi që ai nga Podujeva të shkojë në Prishtinë, të marrë të miturën dhe të vijë në Prizren për të blerë kozmetikë apo gjëra të tjera dhe të vë në qarkullim monedhën e falsifikuar.

Përveç kësaj, duke pasur parasysh se i njëjti sipas evidencës zyrtare, sipas fjalëve të prokurorit, sipas deklaratës së dëshmitares, del se edhe disa herë të tjera në Prizren ka vënë në qarkullim monedha të falsifikuara, çdoherë në shumën prej 500€.

Prandaj në bazë të cekurave më lartë gjykata ka konstatuar se në veprimet e të akuzuarit formohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor dhe dënuar sipas ligjit.

Me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimit gjykata mori parasysh të gjithë rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit dhe si rrethana rënduese mori parasysh ato rrethana nën të cilat është kryer vepra e të cilat ndikojnë që vepra të ketë rëndësi më të madhe nga aspekti i rrezikut konkret shoqëror.

Gjykata ka pasur parasysh vlerën e monedhës, mënyrën e kryerjes së veprës dhe kushtet nën të cilat është kryer, kohën dhe vendin e kryerjes së veprës, duke pasur parasysh vendosmërinë për kryerjen e veprës sepse nga Podujeva në Prizren për ta vënë në qarkullim monedhën e falsifikua.

Është marrë parasysh edhe karakteri i rrethanave personale të kryesit dhe rrethanat tjera të cilat lidhen me personalitetin e tij, shkalla e rrezikimit të vlerës së mbrojtur të shprehur përmes pasojës së veprës penale të kryer, sjellje jo korrekte ndaj gjykatës duke mos respektuar thirrjet për seanca.

Ndërsa nga rrethanat lehtësuese ka marrë parasysh se i akuzuari është i moshës së re, prandaj e ka shpallur fajtor dhe dënuar me dënim si në dispozitivin e këtij aktgjykimi, duke konsideruar se edhe me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dëmit.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në afat prej 30 ditësh Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes kësaj gjykate.