Abrahams po vazhdon dëshminë, mbrojtja e Thaçit dhe Veselit me pyetje plotësuese

Shqyrtimi gjyqësor i të hënës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të 22-të në këtë çështje, Frederick Abrahams nga organizata ndërkombëtare ‘’Human Rights Watch’’.

Lidhur me dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Veselit kanë kërkuar të bëjnë pyetje plotësuese.

Në dëshminë e tij, të datës 8 gusht 2023, Abrahams deklaroi se nuk ka pasur mundësi të ketë qasje në dokumentet e brendshme brenda UÇK-së.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor të 8 gushtit, pyetjet ishin bërë nga ana e trupit gjykues ku dëshmitari kishte deklaruar se i kujtohet të ketë thënë në intervistat e tij për Zyrën e Prokurorit të Specializuar se shqiptarët që punonin për shtetin serb mund të konsideroheshin kolaboracionist.

Tutje, dëshmitari listoi kategoritë e njerëzve që mund të etiketoheshin si kolaboracionist ku përmendi individët të cilët kanë punuar si policë apo në institucione të sigurisë në kohën e Serbisë.

Sipas dëshmitarit, në këtë listë kategorizoheshin edhe personat që kanë punuar për shtetin qoftë edhe në administratë, njerëzit që kanë kritikuar hapur UÇK-në, politikën dhe njerëzit që jo detyrimisht e kundërshtonin hapur UÇK-në por nuk e mbështesnin.

Po ashtu, edhe kategoria ekonomike, ku sipas dëshmitarit ka pasur raste që njerëzit janë etiketuar në atë mënyrë që të margjinalizoheshin ose edhe të eliminoheshin për arsye biznesore.

Dëshmitari Abrahams u pyet nga trupi gjykues edhe për takimin me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn.

Dëshmitari kishte deklaruar se ata ishin larguar nga takimi me përshtypjen se Hashim Thaçi kishte autoritet më të lartë krahasuar me Limajn.

‘’Zotëri Thaçi ishte në nivel më të lartë dhe me autoritet, ai ishte folësi kryesor… Ai i dënonte rastet e dhunës, sulmet që kishin ndodhur’’ – tha dëshmitari Abrahams.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.